Megjithëse KESH është vetëm prodhues energjie, kompania do të ketë edhe barrën që të garantojë energji për abonentët familjarë dhe biznesin e vogël. Ky detyrim deri tani i takonte vetëm OSHEE-së, por me vendimin e fundit qeveria fut në lojë edhe KESH për të krijuar një mundësi që në kushtet e emergjencës energjetike me çmime të larta nga importi, çmimi final për konsumatorët të mos rritet.
Ky detyrim lind nga vendimi i fundit i qeverisë këtë të enjte. Ministrja e Energjisë, Belinda Balluku, tha se “me ndryshimet ligjore që iu bënë VKM-së së datës 22 tetor 2021, shoqëria KESH, si prodhuesi shtetëror i energjisë, tashmë ka detyrimin e furnizimit publik me energji elektrike dhe duhet të furnizojë Furnizuesin e Shërbimit Universal, FSHU, me të gjithë sasinë e nevojshme për qëllimin e plotësimit të kërkesës së plotë të tregut të rregulluar 0.4 volt ku bëjnë pjesë grupi i abonentëve familjarë dhe biznesi i vogël sipas çmimit për njësi të energjisë elektrike të miratuar nga Asambleja e Përgjithshme e Shoqërisë.
KESH detyrohet të prodhojë dhe të dorëzojë pranë shpërndarësit 4.6 terra vat aq sa është sasia mesatare për vit që kërkohet për mbulimin e nevojave të abonentëve, pra abonentëve familjarë dhe biznesit të vogël. “Duke konsoliduar atë që thashë që çmimi për këtë kategori do të mbetet i pandryshuar sepse detyrimi i këtij shërbimi i kalon KESH”, deklaroi ministrja Balluku.
Sipas qeverisë, nëse KESH nuk do të përmbushë këtë detyrim për plotësimin e 4.6 terra vat në vit, në rastet e pamundësisë së prodhimit nga kaskada e Drinit që është gjeneruesi kryesor, atëherë kompania mundet të marrë disa masa shtesë, të cilat më parë nuk ishin pjesë e funksioneve të saj.
Balluku tha se në ditët në vijim do të ketë dhe masa të tjera shtesë në rritjen e prodhimit të energjisë siç është Parku Fotovoltaik i ndërtuar në pjesën e digës së Vaut të Dejës me 5.2 megavat.
Gjithashtu, sipas ministres Balluku, KESH përmes mekanizmave ligjorë do të ketë të drejtën e marrjes me qira të aseteve gjeneruese termike të energjisë, si dhe të shkëmbejë dhe depozitojë apo të kryejë transaksione shitblerjeje të energjisë në tregun e lirë.
Deri tani KESH kishte detyrim ligjor që ta furnizonte OSHEE me 3.9 terra vat, ndërkohë që konsumi final mesatar i energjisë në Shqipëri është 4.6 terra. Diferencën OSHHE duhej ta blinte nga importi. Në kushtet kur çmimet e importit kanë kapërcyer, kjo krijonte një kosto të lartë që rëndonte financat e OSHEE, por dhe bënte presion për rritje të çmimeve te publiku. Ndaj gjatë këtij viti ndodhi “çudia” që KESH shiste lirë gjatë verës dhe OSHEE blinte shtrenjtë në dimër.
Tani me skemën e re, sistemi energjetik i krijon vetes shans të mund të krijojë “magazinën e vet” dhe të mund të shkëmbejë energji në masë të volitshme.
Gjithsesi, kjo skemë është për t’u provuar dhe për të parë vërtet fuqinë dhe aftësinë e operatorëve për të analizuar tregjet dhe furnizuar pa kosto të lartë dhe shpenzime.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje