Metaverse tanimë shihet si një vend futurist ku ne të gjithë, të ulur në dhomat tona të ndenjes me syze të lidhura në kokë, mund të ndërveprojmë, të blejmë gjëra, të dalim në takime dhe gjithçka tjetër në një botë virtuale.
Po nëse, përveç të qenit një vend, metaverse përfaqëson edhe diçka tjetër: një pikë në kohë kur jetojmë më shumë në botën digjitale sesa në atë fizike?
Kjo është një hipotezë e diskutuar prej kohësh në mesin e komunitetit të realitetit virtual, duke përfshirë Louis Rosenberg, një veteran në zhvillimin e AR dhe CEO i Unanimous AI.
“Pas tranzicionit, jam absolutisht i sigurt se kjo pikë në kohë do të vijë”, tha Rosenberg për Insider. “Dhe nuk do të jetë aspak e mirë për njerëzimin.”
“Megjithëse realiteti virtual dhe realiteti i shtuar janë të dyja aspektet kryesore të strukturës metaverse, janë syzet AR ato që do të kthehen në të kudo ndodhura brenda 10 viteve, duke zëvendësuar telefonin celular si mjetin tonë kryesor për të bashkëvepruar me përmbajtjen digjitale”, tha ai.
Ky do të jetë momenti kur linjat midis botës reale dhe asaj digjitale do të turbullohen më shumë se kurrë më parë.
“Kur të prezantohet një objekt virtual që nuk dallohet nga objekti fizik, ky do të jetë hapi i fundit”, tha Rosenberg.
“Ne kemi parë momente të tilla kohë më parë”, tha Rosenberg, “që nga mënyra se si shtypshkronja revolucionarizoi mënyrën se si ne ndajmë informacionin, deri te komunikimi në distancë nëpërmjet telefonit.”
“Metaverse do të sjellë në mënyrë të ngjashme një lloj teknologjie të re, e cila do të bëhet e nevojshme për të vepruar në shoqëri. Ne do të dalim, do të punojmë, do të jetojmë, do të blejmë dhe do të shesim gjëra dhe do të luajmë virtualisht. Do të shkoni në dyqan dhe nuk do të jeni në gjendje të shihni çmimet e produkteve nëse nuk keni syze AR”, tha Rosenberg.
“Me ardhjen e këtij realiteti vjen ajo që ne kemi diskutuar për muaj të tërë: se problemet e mediave sociale do të përforcohen në këtë botë virtuale. Polarizimi, përçarja dhe keqinformimi do të dhjetëfishohen dhe metaverse do të krijojë realitetin”, thanë ekspertët për Insider.
Ekspertët ranë dakord se nxitja jonë kolektive drejt metaverse është shqetësuese, aq sa është edhe mbështetja që do të kemi ndaj një peizazhi kaq të rremë.
“Të qenit pjesë e metaverse do të jetë një pjesë më e rëndësishme e jetës sonë sesa të qenit në botën reale”, tha Rosenberg.
Burimi: Business Insider/Përshtati Gazeta Si
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



