Rritja me hov e indeksit të kushtimit në ndërtim paralajmëron një rritje të re të çmimeve për blerjen e banesave.
INSTAT na tregoi gjatë kësaj jave se ky indeks ka arritur në 102.8 me një rritje prej 2.2% në tremujorin e tretë 2021, nga e njëjta periudhë e vitit të shkuar. Që prej fundit të vitit të kaluar kurba e indeksit është rritur shumë shpejt tregojnë të dhënat. Aq e shpejtë dhe e madhe është rritja sa ka kapërcyer jo vetëm mesataren historike, por edhe kulmet që prej vitit 2018.

Sipas INSTAT , çmimet e importit dhe prodhimit të produkteve metalurgjike janë rritur me 3.4% dhe 7.8% respektivisht.
Krahasuar me të njëjtin tremujor të një viti më parë, rritja më e madhe e çmimeve vërehet në grupin “Shpenzime materiale” me 2.9%, pasuar nga grupet “Kosto të tjera” me 2.4%, “Shpenzime për paga” me 2.1%, “Shpenzime transporti” me 2%, “Shpenzime makinerie” dhe “Shpenzime energjie” me 1.4% secili. Brenda grupit “Shpenzime materiale”, indeksi i nëngrupit “Materiale ndërtimi” shënoi rritjen më të lartë me 3%.
Reinaldo Pipiria, drejtori i NAREA, Shoqata Kombëtare e Ndërmjetësve të Pasurive të Paluajtshme të Shqipërisë, i tha Gazetasi.al se rritja e materialeve të ndërtimit, sidomos të atyre të importuara, siç është hekuri, ka rritur koston finale të një ndërtese, kur blihet nga klientët.
Por sa shpejt dhe kur do të përcillet kjo rritje e re e kostove në ndërtim në çmimin final, kur shitet një apartament?
Bizneset pjesë e sektorit të ndërtimit, sipas një anketë të Bankës së Shqipërisë, parashikojnë rritje të çmimeve në të ardhmen por dhe të kërkesës po ashtu.
Ekspertët thonë se përveç ndikimeve që vijnë nga tregjet ndërkombëtare, disa faktorë të brendshëm po bëhen të përhershëm dhe janë ata që po e tërheqin kurbën e çmimeve lartë.
Drejtori i NAREA thotë se mungesa e fuqisë punëtore dhe vështirësive për të gjetur punonjës, duke rritur me 60% koston e forcës së punës, nga 1.500 lekë/dita në 2.500 lekë/dita.
Vlera e një metri katror të një banese në vendin tonë, sidomos në Tiranë, është ende në trendin rritës, nisur që në periudhën mars-prill 2021, me rritje 2-3% nga muaji në muaj.
“Bazuar në databazën tonë, prej rreth 25.000 pronash ekskluzive, çmimi mesatar i ponderuar në Tiranë (3 vitet e fundit) na rezulton në nivelin 900-920 € për m2”,- tregon Pipiria për Gazetasi.al duke shtuar dhe faktorë të tjerë që ndikuan në këtë rritje brenda një periudhe të shkurtër.
“Ndryshimet në çmime kanë ardhur si pasojë e disa faktorëve të tjerë, si taksa e Bashkisë, rritja e përqindjes që kërkojnë pronarët e truallit, duke e tejkaluar normalen nga 35-37% në 55% të të gjithë volumit të truallit, në qendër të Tiranës. “
Nga ana tjetër kërkesa momentale për banesa është ndihmuar nga disa faktorë siç janë lehtësimi i kushteve të kreditimit për shtëpi dhe ulja e ndjeshme të normave të interesit, (duke stimuluar kredimarrjen dhe blerjen e banesave), por edhe rritjen e pagës mesatare duke ndikuar në kërkesën e lartë për banesë dhe mundësinë e financimit nga institucionet financiare.
Reja e inflacionit të importuar që habit Europën megjithëse e pritshme, por jo në përmasa të tilla, janë një kërcënim edhe për tregun e brendshëm. Shumatorja e këtyre faktorëve, thonë për gazetën ekspertët, do të na premtojë një surprizë të pakëndshme për një rritje çmimesh që mund të jetë e afërt.
Zoti Pipiria i shpjegoi Gazetasi.al dhe strategjitë blerëse të klientëve, ku në zonat që çmimet janë nën mesataren, më të interesuar janë klientë të sapo zhvendosur në kryeqytet. Në zonat me vlerë mesatare, banesat merren nga individë të stabilizuar financiarisht, ndërsa në zonat ku metri katror e kalon mesataren, klientë janë njerëzit e biznesit nga vendi ose klientë të huaj.
“Një trend i parë në 3-4 vitet e fundit është edhe blerja e banesave për investim nga individë apo kompani, për t’i dhënë ato me qira ditore, booking apo airbnb.”
Apartamentet e ndërtuara para viteve 90, sipas NAREA, nuk kanë pasur rritje sepse nuk përmbushin standardet normale europiane, eficencën e energjisë, sigurisë etj.
“Pandemia ka ridimensionuar konceptin për shtëpi dhe hapësirat e kërkuara janë më të larta. Ky është trend botëror, jo vetëm shqiptar.”
Po a do të mund ta mbajmë dot të gjithë këtë trend për shtëpi me sipërfaqe më të mëdha? Të dhënat e fundit e kanë tronditur parashikimin. Gati 38% e shqiptarëve, sipas INSTAT, ishin të privuar nga varfëria materiale në 2019-, ndaj rrezikojnë të zhyten në varfëri nga çmimet e larta që po ofrohen.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




