Shendet

Italia, e para në Europë që do vaksinojë fëmijët 5-11 vjeç

Për një kohë të gjatë kishim përshtypjen se Covid-19 ishte i rrezikshëm vetëm për të moshuarit dhe personat me sëmundje shoqëruese, por më pas me rritjen e rasteve dhe infeksioneve u kuptua se praktikisht asnjë grup moshë nuk është imun ndaj virusit. Fëmijët priren të zhvillojnë një sëmundje më të lehtë se të rriturit, por edhe ata janë në rrezik nëse infektohen me Sars-CoV2.
Autoritetet shëndetësore ndërkombëtare e kanë cilësuar vaksinimin e fëmijëve tepër të rëndësishëm në këtë fazë të pandemisë, ku në shumë vende është prezent edhe varianti i ri Omicron. Autoriteti i Barnave dhe Ushqimeve në SHBA dhe Agjencia e Barnave në Europë kanë arritur në përfundimin se vaksinat Covid-19 janë jashtëzakonisht efektive në shmangien e vdekjes dhe shtrimit në spital, kështu që ato potencialisht do të jenë në gjendje të zvogëlojnë infektimet.

Duke nisur nga këto udhëzime Italia është vendi i parë në Europë që do të nisë vaksinimin e fëmijëve në moshën 5-11 vjeç. Autoritetet shëndetësore në Itali kanë vendosur se vaksina e përdorur do të jetë nga Pfizer, me dozë të reduktuar dhe e ndarë në 2 doza me një afat kohor ndërmjetës për 3 javë. Vaksinimi në Itali pritet të fillojë nga data 16 dhjetor. Ndërkaq vaksinimi në këtë grup moshë në Shtetet e Bashkuara ka disa javë që ka filluar.

Autoritetet kanë shpjeguar se vaksina nuk parandalon vetëm vdekjet dhe shtrimet në spital, por mund të zvogëloj edhe rrezikun për gjendjen post-Covid.
Kjo gjendje është parë shpesh tek fëmijët dhe vazhdon për muaj të tërë pas infeksionit Sars-CoV2 dhe përfshin shumë simptoma si marramendje, lodhje, dhimbje muskulore, humbje flokësh dhe mungesë përqendrimi.
Burimi:La Repubblica/Përshtati:Gazeta “Si”


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë