Art dhe Kulture

Cirku sërish në rrugë, artistët: Na mashtruan për palestrat e stërvitjes

Pas heqjes së Çadrës, artistët e cirkut nuk kanë shkuar asnjë ditë për stërvitje dhe prova tek palestra e shkollës së mesme “Sinan Tafaj”, e cila u propozua nga Ministria e Kulturës si një ambient tranzitor derisa të gjendet një vend i ri.

Artisti Julian Kazazi, kryetar i Sindikatës së Artistëve, i tha Gazetasi.al se zgjidhja e propozuar për stërvitjen në palestrën e shkollës, ishte e pavlefshme.

“Ishte një show mediatik deklarata e datës 26 tetor e ministres së Kulturës Znj.Margariti dhe nënkryetarit të Bashkisë Tiranë, Z.Mazniku duke i hedhur hi syve të shqiptarëve sikur këta kanë interes t’u japin zgjidhje kësaj problematike dhe deklaruan që ‘u gjet një zgjidhje momentale për stërvitjen e artistëve të cirkut’ në shkollën ‘Sinan Tafaj’. Sindikata e Artistëve dhe mjeshtrat të cirkut që me datë 26 tetor kanë shprehur se ajo palestër nuk është e përshtatshme për vazhdimësinë normale për stërvitjen e artistëve dhe studios së cirkut” shprehet për Gazetasi.al kryetari i Sindikatës së Artistëve, Julian Kazazi.

Artisti Julian Kazazi, kryetar i Sindikatës së Artistëve

“Ne po vazhdojmë punën tek palestrat ekzistuese, dhe në shkollën ‘Sinan Tafaj’ nuk kemi bërë asnjë ditë prova sepse nuk është e përshtatshme për cirk. Ajo ishte gjasme thjesht një promovim, që e kemi vëmendjen te cirku po realisht nuk është asnjë gjë”, shprehet akrobatja Juxhina Madhi.

Drejtori i Cirkut, Ilirjan Gjini i kontaktuar nga Gazetasi.al thotë se “kjo palestër është vënë në dispozicion vetëm për fëmijët e studios së Cirkut, pra fëmijët që stërviten për t’u bërë artistë”.

Deklarata e tij kundërshtohet nga artistët, të cilët thonë se ajo palestër u vu në dispozicion jo vetëm për fëmijët por edhe për artistët. Artisti Kazazi thotë ndër të tjera se “po të shikosh tek foto e palestrës aktuale, do shikosh që janë disa baza materialesh që nuk spostohen dot përditë në palestrën e shkollës”.

Mjeshtri i studios së Cirkut, Agron Muho i tha Gazetasi.al se edhe për fëmijët kushtet e shkollës “Sinan Tafaj” nuk janë të përshtatshme.

“Tek palestra e shkollës na duhen kushtet e përshtatshme, si ngrohja, baza materiale, dhomat e zhveshjes, litarët e sigurimit. Po ashtu, çdo ditë, palestra e shkollës është e bllokuar me aktivitete. Sot nuk kemi problem hapësirat e palestrave, sot ne kemi nevojë urgjente për ambientet e aktiviteteve tona. Kemi nevojë për kushtet dhe tualete”, vijon ai.

Lidhur me problematikat që artistët ngrenë (tualelet dhe dhomat e ndërrimit) drejtori i këtij institucioni nuk ka një përgjigje të qartë se ç’do të bëhet në vijim. Ai thotë se po punohet për zgjidhje.

“Artistët nuk më kanë sjellë një kërkesë konkrete. Sigurisht që problematikën unë e di, dhe po punojmë për një zgjidhje, por kjo nuk justifikon mosangazhimin dhe paraqitjen në punë”, shprehet Ilirjan Gjini për Gazetasi.al.

Në këto kushte që ndodhen aktualisht, sipas kreut të sindikatës, zgjidhja e vetme që u ngelet artistëve është stërvitja në palestrat ekzistuese. Duke qenë se këto palestra nuk kanë as tualete, ai thotë se artistët këto kohë janë të detyruar të përdorin tualetet e lokaleve që kanë pranë.  

“As palestrat ku i kanë ngelur artistëve të cirkut nuk janë të përshtatshme për vazhdimësinë normale të stërvitjes, pasi mungojnë kushtet me minimale si: dhoma ndërrimi, tualete etj. Kjo gjë i detyron artistët të përdorin tualetet e lokaleve pranë palestrave të cirkut”, shprehet Kazazi.

Edhe pse kanë dhënë ndonjë shfaqje në ndonjë shkollë që i kanë kërkuar, akrobatja Madhi i mëshon fort faktit se nuk qëndron problemi për realizimin e një shfaqjeje njëherë në aq kohë, por vijimësia e cirkut si institucion.

Akrobatja Juxhina Madhi

“Nuk është problemi se po marrim dhe një vit rrogën, se nuk po luftojmë për një vit rrogë, por për ekzistencën e cirkut”, vijon më tej ajo.

Ministrja Margariti në deklaratën e saj të 26 tetorit ndër të tjera do të shprehej se brenda nëntorit do të ketë dhe një përgjigje për truallin se ku do të ndërtohet Cirku i ri. Ndërkohë artistët pohojnë që deri në këto momente nuk ka asnjë përgjigje se ku do të ndërtohet.

“Jemi në procedurë letrash, të paktën kështu thuhet që ngërçi është te bashkia, sepse nuk po gjen një pronë, por ndërkohë ngërçi është sepse nuk është miratuar një buxhet për një fond të caktuar për ndërtimin e cirkut të ri.  Na thanë deri në fund të nëntorit por po mbyllet viti dhe asnjë përgjigje”, shprehet akrobatja.

Për ngërçin e krijuar dhe mungesën e një zgjidhjeje konkrete për ta, artisti Kazazi fajëson ministren e Kulturës dhe drejtorin e këtij institucioni, që sipas tij është një militant partiak.

“Aktualisht jemi në muajin e festave të fundvitit dhe artistët e cirkut ende nuk dinë se kur do fillojnë aktivitetin e tyre artistik në një sallë apo në një arenë të re”.

Historia e prishjes së Cirkut Kombëtar, ku përmbaruesit dhe artistët e cirkut përplaseshin mes tyre vijoi prej vitesh. Përplasjet nisën që kur Gjykata Administrative me vendim të formës së prerë i kaloi privatit truallin, ku ndodhej Cirku Kombëtar.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë