Menaxhim

Shqipëria dhe Kosova firmosin për njohjen e licencave të tregut të energjisë elektrike

Enti Rregullator i Energjisë në Shqipëri dhe Zyra e Rregullatorit për Energji në Kosovë kanë nënshkruar memorandumin për njohjen reciproke të licencave në aktivitetin e energjisë elektrike.

Ministrja e Ekonomisë së Kosovës, Artane Rizvanolli në konferencë tha se hapi tjetër është bursa e energjisë dhe reformimi i këtij sektori, pasi të dyja vendet do të kenë nevojë për import energjie.

Ilir Bejta zv.ministër i Infrastrukturës dhe Energjisë së Shqipërisë tha se ky është guri i parë i rëndësishëm që vendosin për dy tregjet midis Kosovës dhe Shqipërisë. Bejta shtoi se do ta marrin seriozisht këtë iniciativë e jo vetëm si projekt, duke mbështetur dhe konkretizimin e planit të bursës.

“Si ministre e Ekonomisë këtë sfidë e shoh mendësinë e nisjes të një kapitulli të ri për vendin tonë. Sektori i energjisë është një ndër shtyllat kryesore për zhvillimin ekonomik të Kosovës. Shqipëria dhe Kosova mbeten të varura nga importet për të garantuar furnizimin me energji elektrike. Do të bëjmë reforma të thella në sektorin e energjisë. Dekarbonizimi deri në vitin 2050, reforma të përballueshme për qytetarët. Bursë të energjisë bashkë me Shqipërinë”,- tha Rizvanolli.

Uner Fejzullahu, kryesues i Bordit të ZRrE-së, tha se ky projekt ka mbështetje edhe nga institucionet ndërkombëtare.

Petrit Ahmeti, kryesues i Bordit të Entit Rregullator të Energjisë Elektrike në Shqipëri, tha se nuk do të mungojë më asnjë moment mbështetja për Kosovën dhe se do të jenë vigjilent gjatë operimit, duke e cilësuar energjinë elektrike si jetike.

Louay Samouie, udhëheqës i ekipit për energji në USAID tha se qëllimi është krijimi i një sektor të qëndrueshëm energjetik të dy vendeve dhe rajonit në përgjithësi.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë