Treguesi i Ndjesisë Ekonomike, TNE, u rrit gjatë muajit nëntor me 0.9 pikë, pas rënies për 3 muaj me radhë.
Rritje pati besimi i konsumatorëve, shërbimeve dhe besimi në sektorin e ndërtimit. Ndonëse tregtia dhe industria patën rënie të lehtë, TNE-ja e muajit nëntor kaloi mesataren me 8 pikë.
Treguesi i besimit konsumator u rrit me 0.8 pikë, referuar pritshmërive të konsumatorëve për një situatë të mirë financiare në vend, ndonëse nuk synonin të bënin blerje në shuma të mëdha.
Treguesi i besimit të shërbimeve u rrit me vetëm 0.1 pikë sepse për bizneset ecuria gjatë këtij muaji nuk ishte dhe aq pozitiv, ndonëse kërkesa ishte e lartë. Bizneset tregojnë optimizëm për kërkesën në të ardhmen, rritjen e punësimit, por presin rënie të çmimeve.
Ndërtimi pati rritjen më të lartë të besimit, me 6.3%, duke arritur vlerën më të lartë të 5 viteve të fundit. Sipas bizneseve në këtë sektor, aktiviteti ndërtues ka qenë pozitiv, si edhe i punësimit. Për ë ardhmen ata presin rritje punësimit dhe çmimeve.
Besimi në industri ra me 2.7 pikë lidhur me vlerësimin e ulët mbi prodhimin aktual dhe porosive. Vlerësimi për kontratat nga eksportet shënoi rritje. Pritjet e bizneseve për ecurinë e prodhimit, për situatën e punësimit dhe çmimet e shitjes në muajt e ardhshëm janë me rritje.
Në tregti, rënia e besimit prej 1.2 pikësh lidhet me vlerësimin e ulët mbi situatën aktuale dhe pritshmëritë negative për punësimin dhe ecurinë e biznesit. Çmimet e produkteve, sipas vlerësimit të bizneseve kanë prirje për t’u rritur.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.