Partia Socialiste ftoi opozitën që të votojë ndryshimet e propozuara nga Qeveria në ligjin kundër pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit, pasi sipas mazhorancës adreson edhe propozimet e Partisë Demokratike të bëra përmes nismës së vettingut në politikë.
Pjesa ku propozimet e socialistëve për të ndryshuar këtë ligj bashkohen me vettingun e politikës të propozuar nga Partia Demokratike është ajo që ka të bëjë me pasurinë e politikanëve, që në ligj janë pjesë e grupit të personave “të ekspozuar publikisht”.
Në këtë grup, ligji përcakton se përfshihen personat që kanë detyrimin të deklarojnë pasurinë dhe burimin e të ardhurave të tyre. Dy janë ndryshimet kryesore që ndërmerren dhe që të dyja lidhen me saktësimin e dy termave në lidhje me “bankat guaskë” dhe “personat e ekspozuar politikisht”.
Kështu me variantin e ri “personat e ekspozuar politikisht”, në kuptim ligjit, janë individët, të cilët janë të detyruar të bëjnë deklarimin e pasurive të tyre, anëtarët e familjes apo personat e lidhur në marrëdhënie të ngushta personale, pune apo biznesi. Këta individë cilësohen si të ekspozuar politikisht deri në tre vite pas largimit nga funksioni.
Në draftin e qeverisë shtohen dy pika të reja që kanë të bëjnë me rastet se kur subjektet duhet të verifikojnë dhe t’u kushtojnë vigjilencë të zgjeruar marrëdhënieve të biznesit dhe transaksioneve me të gjitha kategoritë e klientëve.
Ndryshimet sanksionojnë gjithashtu që të gjitha të dhënat për transfertat e parave të mbahen të plota nga bankat dhe institucionet e tjera financiare që ofrojnë këtë shërbim si për dërguesin, ashtu edhe për përfituesin.
Një tjetër ndryshim që bëhet në projektligj është ai që u jep të drejtë autoriteteve të refuzojnë hapjen e zyrave përfaqësuese nga subjekte që vijnë nga vende që konsiderohen me rrezik të lartë për burimin e paligjshëm të parave.
Sipas relacionit që shoqëron propozimin për këto ndryshime, ligji përafrohet disa nene me direktivat e Bashkimit Europian dhe adreson rekomandimet e MoneyVal.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




