“Po më duket vetja si kampion”, thotë për Gazetasi.al Altin Hazizaj drejtori i CRCA/ECPAT (Qendra për të Drejtat e Fëmijëve në Shqipëri) i cili ka bërë 4 vaksina, 2 doza Sinovac dhe dy doza Pfizer ndërkohë që ka vetëm një muaj që në vendin tonë ka filluar vaksinimi me dozat e treta anti-covid.
Hazizaj tregon se kishte menduar se ishte i vetmi person i vaksinuar me katër doza, por “kur e ndava historinë me miq e të njohur, më rezultoi se kishte edhe të tjerë, shumica të huaj që jetojnë në Shqipëri”.
Fakti që për një kohë të gjatë e vetmja vaksinë që mund të bënim të gjithë ishte ajo kineze, bëri që shumica që donte të vaksinohej të merrte dy dozat e Sinovac. Ndërkohë që pas shtatorit, vendosja e rregullave të reja në vendet e BE-së dhe mos pranimi në të paktën 20 prej tyre i vaksinës Sinovac, e bënte thuajse të detyrueshme marrjen e një vaksine perëndimore, për ata që udhëtojnë në këto vende.
“Doza e tretë për mua dhe vaksina e parë e pfizer nuk patën ndonjë efekt anësor, përpos dhimbjes së krahut për 24 orë dhe një lloj debulese të trupit”, thotë Hazizaj i cili shton se doza e dytë e pfizer (e katërta në total) “më palosi për nja 48 orë në shtrat”. Edhe mjekët, por edhe nga çfarë kishte lexuar Hazizaj, të gjithë theksonin faktin që doza e dytë e pfizer jepte gjendje gripi, me temperaturë, debulesë e të gjithë trupit e muskujve dhe ashtu ndodhi.
“Për rreth 2 ditë pata një temperaturë midis 37-38 gradë dhe më flihej gjatë të gjithë kohës. Kështu e kalova duke respektuar atë që kishte nevojë trupi. Dita e tretë ishte sikur asgjë të mos kishte ndodhur”, thotë Hazizaj që hiq dhimbjen e krahut, që zgjati nja 4-5 ditë, nuk kishte asnjë shenjë tjetër.
“Që pas kësaj nuk kam patur më asnjë efekt anësor apo shenjë. Ndjehem shumë mirë dhe mendoj se tashmë jam edhe më i mbrojtur”.
“Kam takuar të paktën katër veta të tjerë, që i kanë bërë katër doza të vaksinës. Tani që ka dal varianti i fundit i covid nga Afrika, mendoj se të gjithë ata që e marrin seriozisht jetën do të bëjnë tre apo katër doza të vaksinës”, thotë Hazizaj i cili shton se edhe pse në rastin e tij shkaku kryesor ishte për punë pasi i duhej shpesh të udhëtonte në vendet e BE-së, ka lexuar se mjekët britanikë do të rekomandojnë doza të katërta për personat që kanë sëmundje kronike.
“Vaksinën kineze e kam bërë diku gjatë qershor-korrikut, ndërsa dy dozat e tjera të pfizer tani në nëntor. Nuk është se u konsultova me kënd, preferova të lexoja kërkime shkencore dhe çfarë rekomandonin shtetet apo shkencëtarët në lidhje me dozën e tretë apo atë të katërt”, thotë Hazizaj i cili shpesh herë këshillon njerëzit që të vaksinohen.
Hazizaj tregon për Gazetasi.al se ka lexuar shumë studime që lidhen me miksimin e vaksinave dhe çdo gjë tjetër që përfshin vaksinimin.
Ai përmend faktin se miksimi i vaksinave ka kohë tashmë që është rekomanduar dhe thuajse të gjitha shtetet që kanë bërë 2 dozat e para të të njëjtës vaksinë, kanë rekomanduar për të tretën që të jetë e ndryshme. Edhe nga studimet e bëra deri më tani ka rezultuar që miksimi i vaksinave jep rezultate më të larta sesa po të vazhdohet me të njëjtën.
“Po ashtu lexova edhe përsa i përket dozës së katërt, ku ndërkohë që këtu artikujt dhe kërkimet ishin shumë herë më të kufizuara, kishte histori të njerëzve që kishin bërë 4 apo 5 doza. Nga të gjithë mund të mësosh diçka, por më kryesorja ishte besimi tek shkenca dhe shkencëtarët”.
Dy dozat e para i ka bërë tek mjeku i familjes ndërkohë që dy dozat e dyta tek sheshi Skënderbej, pa asnjë problem. Por problemi që ka është se vaksina e katërt nuk i del në sistem në pasaportën e vaksinimit.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



