Treg

Rritja e tregut të sigurimeve u ngadalësua gjatë tetorit

Primet e shkruara bruto u rritën me 16.5% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, ndërsa për 9 muajt e parë të vitit rritja kishte qenë rreth 18.%

Krahasuar me 10 mujorin e vitit 2019, tregu paraqitet në zgjerim me 10.1%, i matur sipas vlerës së primeve të shkruara bruto.

Tregu shqiptar i sigurimeve mbetet kryesisht i varur nga produktet që në mënyrë direkte apo indirekte janë të detyrueshme, kryesisht në segmentin e sigurimeve motorike.

Për 10 mujorin 2021, sigurimet e detyrueshme motorike ishin dominuese dhe sollën mbi 66% të primeve në segmentin më të madh të tregut, atë të jo-jetës.

Normën më të lartë të rritjes po e shfaqin produktet që vitin e kaluar u ndikuan më shumë nga pandemia. Këtë vit primet nga policat kufitare janë rritur me 137.7%, ndërsa ato nga kartoni jeshil me 27.8%.

 Sigurimi i brendshëm motorik TPL deri tani po shënon një normë rritjeje me 8%. Ndër sigurimet motorike, në rritje shfaqet edhe sigurimi KASKO i automjeteve, me 25.2% më shumë krahasuar me një vit më parë.

Në ngadalësim nga rritja e 9-mujorit të parë shfaqet edhe sigurimi i katastrofave. Për 10-mujorin, primet e shkruara bruto arritën vlerën e 1.52 miliardë lekëve, me një rritje prej 34.6% krahasuar me një vit më parë.

Në fund të 9-mujorit, rritja kishte qenë 10 pikë përqindje më e lartë. Në numër kontratash, rritja e tregut është edhe më e ulët, rreth 10% më shumë krahasuar me një vit më parë.

Ritme të larta të rritjes këtë vit po shfaq edhe tregu i sigurimit të jetës. Për 10-mujorin, primet e shkruara bruto janë rritur me 24.5% me bazë vjetore. Edhe këtu rritja paraqitet disi më e ulët krahasuar me nivelin 25.2% të 9-mujorit. Tregu vazhdon të dominohet nga sigurimi i jetës së debitorit, ku primet këtë vit janë rritur me 30% dhe përbëjnë pothuajse 70% të totalit të tregut.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë