Shendet

Europa ka shtuar masat nga varianti Omicron/ Bino: Në Shqipëri mjafton të respektojmë masat që kemi

Varianti Omicron është cilësuar si variant shqetësues nga autoritetet shëndetësore botërore. Në mbledhjen e fundit të OBSH, përcaktoi se numri i lartë i mutacioneve të Omicron do të ndryshojë ndikimin e mundshëm të pandemisë.

Duke u nisur nga situata shqetësuese në botë, Gazetasi.al pyeti autoritetet shëndetësore nëse do të duhen të merren masa shtesë për të ndaluar transmetueshmërinë.

Shefja e Shërbimit Epidemiologjik në ISHP shpjegoi për Gazetasi.al se transmetueshmëria ulet nëse zbatojmë masat që kemi.

Bino shtoi se duhen mbajtur maskat në mjedise të mbyllura si dhe të evitojmë mbledhjet në këto ambiente.

Gjithashtu Bino theksoi se e rëndësishme mbetet vaksinimi.

Masat e tjera shtesë në vendin tonë janë:
-Kufizimi i qarkullimit dhe aktivitetit të bareve dhe restoranteve është nga ora 23:00-06:00.
-Vazhdon të mbetet në fuqi urdhri për përdorimin e maskave në ambientet e mbyllura, në qendra tregtare, supermarket, dyqane, transport publik dhe në të gjitha ato vende ku nuk sigurohet distancimi fizik.
-Në të gjitha rastet kur nuk respektohen masat e rekomanduara do të zbatohen penalitetet, siç është ai individual kur qytetari nuk ka përdorur maskën në ambientet e rekomanduara në masën e gjobës 3 mijë lekë nëse është për herë të parë dhe në rast përsëritje në masën 5 mijë lekë.
-Në rast kur bizneset nuk zbatojnë protokollet e rekomanduara nga Instituti i Shëndetit Publik, masa e penalitetit shkon nga 100,000-700,000 lekë, në varësi të masës e cila nuk është zbatuar.

Ndërkaq vendet evropiane dhe jo vetëm janë alarmuar dhe po kufizojnë fluturimet. Italia ka ndaluar hyrjen në deri më 15 dhjetor për ata që kanë qenë në vendet e Afrikës së Jugut, si Lesoto, Botsvana, Zimbabve, Malavi, Mozambik, Eswatini dhe Namibi.

Ursula von der Leyen kryetarja e Komisionit Evropian në një status në rrjetet sociale shpjegoi se lajmet për variantin r ri janë shqetësuese. Sipas saj shtetet anëtare duhet të veprojnë së bashku për të kufizuar përhapjen e tyre.
Nisur nga kjo deklaratë vendet si Mbretëria e Bashkuar, India, Izraeli, Japonia, Spanja, Gjermania dhe Republika Çeke, kanë nisur një nga një të pezullojnë fluturimet. Raste me variantin e ri deri më tani janë konfirmuar në Izrael, Belgjikë, Mbretërinë e Bashkuar, Portugali e disa vende të tjera.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë