Edhe pse Vlora është qyteti simbol i festave të Nëntorit, festat gjithnjë e më shumë po bëhen në Korçë e cila duket se është në pararojë me Vlorën në këtë drejtim, por megjithatë, në të dy nga qytetet ka patur një trend më të madh rezervimesh për ditët e festave krahasuar me vitin e kaluar.
Në Vlorë po kremtojnë më shumë kosovarët ndërsa ata qytetarë që zgjodhën të festojnë brenda trojeve shqiptare u drejtuan drejt Korçës edhe për faktin që sipas operatorëve të tregut konsiderohet si qyteti ideal për turizmin dimëror dhe përkon shumë mirë me këtë periudhë të vitit.
Të veshur me ngjyra kuq e zi dhe me flamuj në duar, shumë qytetarë nga Kosova kanë marshuar rrugëve të Vlorës duke pozuar e duke festuar.
“Korça i ka kthyer festat e Nëntorit dhe të fundvitit kryesisht në një ‘brand’ të saj. Edhe pse në fakt ajo ka një tjetër asilloj turizmi nga Vlora. Në Vlorë po punohet për turizmin kulturor si nga ana e pushtetit vendor dhe aktorëve të sektorit dhe rezultatet tani kanë filluar që të duken.
Nuk kemi aktualisht një shifër të saktë se sa qytetarë shqiptarë apo shqiptarë të Kosovës e kanë vizituar Vlorën për festa pasi kjo do të analizohet pastaj sëbashku me rrjetin e hotelerive, por ajo që ne kemi parë dukshëm sipas një trendi vizual është se ka patur pronotime më të larta krahasuar edhe me vitin e kaluar. Janë qindra rezervime.,”-thotë për Gazetasi.al Migen Xhelo, specialist turizmi dhe njëkohësisht administrator i agjensisë “ Travel Club Albania” në Vlorë.
Ai shton se hotelet kryesisht i kanë bërë vetë ofertat për klientët duke përfshirë dhe ndonjë mbrëmje festive brenda ambienteve apo duke e bërë vetë guidën lokale me anë të mjeteve të tyre transportit, por këto shërbime nuk janë ofruar si paketa tek agjensitë në mënyrë që t’i shisnin.
“Në Vlorë do të ishte festuar shumë më bukur këtë vit pasi ne organizuam edhe një koncert të parashikuar për t’u zhvilluar në orën 18:00 por për shkak të kushteve atmosferike jo të mira dhe furtunës, u detyruam që ta anullonim. Kjo gjë na penalizoi shumë.
Kemi një plan rezervë për ta zhvilluar sërish më tej koncertin që ta kompesojmë por nuk e dimë a do të ketë më të njëjtin efekt pasi ditët e pushimit do të mbarojnë dhe turistët do të kthehen në shtëpitë e tyre,”-shton më tej ai për Gazetasi.al duke theksuar që nëse Korça fillon të zgjohet dhe të lëvizë në dimër, Vlora gjallërohet në verë sepse potenciali i tyre turistik është në maksimum respektivisht në atë stinë.
Përfaqësuesit e agjensive pohojnë se kosovarët e kishin kryer me ditë rezervimin e tyre për në Vlorë, njëjtë siç kishin bërë edhe shumë qytetarë shqiptarë me Korçën.
Ata shtojnë se kosovarët shquhen për patriotizmin e tyre dhe ka vite që nuk e tradhëtojnë Vlorën. Për ta Vlora është simboli i këtyre festave, qyteti ku duhet festuar më shumë se kudo tjetër në Shqipëri.
Sipas tyre, qytetarët e Kosovës rezervojnë disa ditë më parë për të ardhur drejt Shqipërisë dhe përgjithësisht janë rezervime familjare. Këtë vit pati më shumë prej tyre se vitin e kaluar dhe madje kaluan pa pengesa në kufi.
Ata pohojnë gjithashtu se kanë ardhur edhe emigrantë të shumtë, kryesisht nga Zvicra, Belgjika dhe nga Italia.
Në kuadër të kësaj feste por edhe si pjesëmarrës në “Kupën Pavarësia” që zhvillohet këtë vit në qytetin e Durrësit, Vlora u vizitua edhe nga shumë ish-përfaqësues të futbollit kosovar të cilët nuk mund të mungonin në Sheshin e Flamurit edhe pse ai është ende në rikonstruksion.
E ndërsa kosovarët vijojnë t’i qëndrojnë fanatikë Vlorës, shqiptarët u dyndën drejt Korçës me stoicizmin e tyre për vendin ideal të turizmit dimëror.
“Rezervimet për të kaluar festat e Nëntorit në Korçë rriten çdo vit por këtë vit ka patur një numër shumë të lartë rezervimesh.Jo vetëm shqiptarë por ka patur edhe të huaj që kanë ardhur me miqtë e tyre nga Shqipëria për të festuar bashkë.”-thotë për Gazetasi.al drejtues i hotel “Life Gallery” i cili gjendet afër 2 muzeve, “Muzeu i Artit Oriental Bratko” dhe “Muzeu Kombëtar i Artit Mesjetar.”
Operatorë të tjerë të tregut tregojnë për Gazetasi.al se pothuajse të gjithë hotelet i kanë patur dhomat e rezervuara me datë 28 ndërsa me datë 29 dhe 30 do të lëvizin në qytete të tjera në afërsi të qytetit të Korçës, të ndjekur kryesisht nga Përmeti.
Çmimet mesatare që janë ofruar në hotelet e Korçës variojnë ca më pak apo ca më shumë nga 3500 lekë në 4500 lekë.
“Korça është qyteti më i bukur në këtë stinë. Kemi ardhur të gjithë si grup bashkë me shoqërinë time duke qenë se janë 4 ditë pushim në dispozicion.
Kemi qëndruar pranë zjarrit, kemi ngrënë gështenja, kemi shëtitur edhe pse është ftohtë dhe po i shijojmë shumë.
Në fakt ne e kemi kthyer gati në traditë që prej 5 vitesh që vijmë për të vizituar Korçën gjatë festave të nëntorit sepse është qyteti që i përshtatet më mirë motit që përkon me këto festa.”-tregon për Gazetasi.al Sonila Alkurti, e cila aktualisht ndodhet në Korçë.
Shqiptarët po aq sa e kanë sfiduar motin e ftohtë për të festuar, aq duket se dhe e kanë shfrytëzuar atë për të udhëtuar drejt vendeve që i përshtaten më mirë kësaj klime atmosferike.
“Në Vlorë, në Korçë apo në qytete të tjera, e rëndësishme është që festojmë për një qëllim të përbashkët. Është një motiv që na bën të gjithëve bashkë. Festojmë për Shqipërinë tonë të lirë e të pavarur.”-shtoi në fund Sonila, duke dashur të mos e largonte theksin dhe vëmendjen nga festat.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.