Bota

Frikë nga varianti i ri i Covid, Japonia mbyll kufijtë për të huajt. Australia shtyn rihapjen

Japonia do të mbyllë kufijtë e saj për të gjithë vizitorët e huaj. Lajmi u njoftua këtë të hënë nga qeveria japoneze për të përballuar rrezikun e rritjes së infeksioneve të lidhura me përhapjen e mundshme të variantit “Omicron” të Covid-19.

Japonia vetëm tre javë më parë lehtësoi disa kufizime për të lejuar vizitorët e huaj të hyjnë në vend për arsye biznesi ose studimi.

Ndërkohë, Australia ka hequr dorë nga vendimi për të lejuar udhëtimet nga disa vende të botës, për shkak të frikës së shkaktuar nga zbulimi i variantit të ri.

Autoritetet do lejonin hyrjen e emigrantëve dhe studentëve të vaksinuar nga data 1 dhjetor, por kryeminstri Scott Morrison deklaroi që vendimi do të shtyhet për shkak të situatës së krijuar në botë.

Autoritetet shëndetësore zbuluan pesë udhëtarë të infektuar me ‘Omicron’ gjatë ditëve të mëparshme.

Qeveria i ka ndaluar dhe qytetarëve të saj daljen jashtë territorit australian. Kjo strategji është përdorur për të mbajtur nën kontroll pandeminë, por ka ndarë dhe shumë familje.

Australia lejon tani vetëm udhëtimet e qytetarëve të vaksinuar plotësisht të Zelandës së Re dhe Singaporit. Komiteti i Sigurisë Kombëtare deklaroi se vendimi u bllokua për të parë efikasitetin e vaksinave dhe ndikimin e virusit.

Pas zbulimit të variantit “Omicron”, vendet e Bashkimit Europian, kanë mbyllur kufijtë vetëm me disa shtete të Afrikës Jugore.

Më herët, Holanda ka forcuar bllokimin e pjesshëm të vendosur për të frenuar kulmin e rasteve të infektimit nga Covid-19 dhe e intensifikoi atë me një mbyllje të hershme të bareve, restoranteve dhe dyqaneve.

Këtë e bëri të ditur kryeministri Mark Rutte në fundjavë, i cili pohoi se nga "e hëna, e gjithë Holanda do të mbyllet në mënyrë efektive midis orës 17:00 deri në 5 të mëngjesit”, shpjegoi ai gjatë një konference për shtyp, ndërsa dhjetëra demonstrues protestuan në Hagë të premten.

Nga ana tjetër, qeveria skoceze ka njoftuar zbulimin e gjashtë rasteve të reja të variantit “Omicron” të koronavirusit, duke e çuar totalin e Mbretërisë së Bashkuar në nëntë të prekur deri tani.

Ekzekutivi skocez u ka kërkuar autoriteteve të shëndetit publik për gjurmueshmëri më të mirë të kontaktit në të gjitha rastet.

Sekretari skocez i Shëndetësisë, Humza Yousaf, tha se autoritetet duhet të jenë "të kujdesshme" derisa të mësohet më shumë rreth variantit. Gjatë fundjavës, autoritetet shëndetësore gjetën tre raste të variantit, gjë që bëri që qeveria britanike të forcohej.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë