Në fshatin Torovicë, pak kilometra larg Lezhës, Rinaldo Gjolaj ka ndërtuar parkun e tij të bletëve. Shumë prej shokëve të tij kanë emigruar por 23-vjeçar ka gjetur një terren në tokën e dajës së tij për të dimëruar me pasionin e tij.
Ai vetë është nga qyteti i Shkodrës, prindërit e tij jetojnë ende aty, babai i verbër dhe nëna sanitare, bashkë me motrën e vogël.
Si i vetmi djalë në shtëpi gjithmonë mendonte të bëhej krahu i fortë i të jëmës që i kishte rritur fëmijët me pagën e vogël si pastruese dhe pensionin e invaliditetit të të shoqit.
Biznesin apo fakultetin?
Në fillim dhe ai kërkonte të studionte një profesion që do ti siguronte punë menjëherë në treg dhe Teknologjia e informacionit ishte dega e duhur për të.
Në vitin 2018 fiton të drejtën e studimit në universitetin “Luigj Gurakuqi” në Shkodër, por gjatë kësaj kohe në kokën e tij bluante një plan biznesi.
“Unë e pëlqej shumë mjaltin dhe çdo verë kur shkoja në Dukagjin tek tezet dhe dajat merrja shumë produkte dhe nënprodukte të tij që i konsumoja gjatë vitit. Familjarët e mi në Malësinë e Madhe rritnin bletë për të siguruar mjaltin për vete, ndërsa ideja ime ishte pse të mos merresha vetë me këtë biznes?, tregon Rinaldo për gazetën “SI”.
Ai thotë se rastësisht u njoh me një mik të babait që e orientoi se si mund të kërkonte grante nga projektet që aplikonin zyra të huaja në Shqipëri.
Pas informacionit të parë, mëson se një nga kriteret e përfitimit të fondeve ishte të mos ishte student dhe nuk mendohet dy herë por ndërpreu studimet menjëherë për tiu përkushtuar idesë së tij për një biznes në fushën e rritjes së bletëve e prodhimeve të saj.
Ndërsa priste të merrte përgjigjen finale të konkurrimit në projektin e parë, i futet studimit të literaturës për rritjen e bletës. Interneti e ndihmon me studime, informacione pa fund por ndërkohë nis të frekuentojë dhe panaire ku merrnin pjesë emra të njohur në këtë fushë.
Në kokën e tij bluhej një markë që do të bënte diferencën dhe Alpet ishin ideja për të qenë unik në treg.
“Ndërsa prisja që plani im i biznesit të miratohej në një nga thirrjet ku aplikova”, regjistrova biznesin në QKR, me brendin “Alpine Bees” ose Bleta Alpine, sepse në mendje kisha rritjen e bletës pikërisht në zona të paprekura më parë. Dhe kjo është sfida ime”, thotë Rinaldo.

Të dështosh apo të fitosh, kjo është çështja
Brenda 3 muajve të parë të 2018, fiton 3 projekte të cilat e ndihmuan të startojë. 40 kosheret e para i vendosi në Torovicë dhe në këtë sipërmarrje angazhoi familjarët e tij, nënën dhe dy dajat. Kur dukej se gjithçka po shkonte mirë, 3 javë pas nisjes së punës, gjatë një kontrolli rutinë në park vëren se një prej bletëve ishte e sëmurë dhe nga shenjat kishte sëmundjen “pesta amerikane” e cila njihet në këtë fushë si mjaft e rrezikshme për jetën e bletës.
Me kontrollin e plotë konstatoi se gjysma e parkut ishte infektuar dhe e vetmja alternativë ishte djegia e tyre për të mos infektuar të gjithë kosheret.
“Qava si fëmijë një ditë të tërë. E para m’u dhimbsën bletët, por dhe u frikësova sepse mendova se kisha nisur diçka gabim. Por kjo mërzi nuk zgjati shumë teksa kujtova se më parë në shkollë kisha qenë atlet dhe e konsiderova biznesin si një garë kur hyj për të fituar. Dhe unë kisha fituar çmimin e parë në kampionatin kombëtar të Atletikës për garën 400 metra dhe 3 herë rresht Maratonën e Atletikës e mbajtur në Shkodër.
Kosheret Inovative
“Ky moment më vuri në lëvizje për të kërkuar aplikacione që më lejonin të kontrolloja kosheret. Aplikova tek projekti “EU for Innovation”, financuar nga Bashkimi Evropian dhe zbatuar nga Ambasada Suedeze në Tiranë dhe GIZ për një grant nga ”Challenge Fund” për kosheret inovative teknoset dhe ja nisa nga e para sërish”, thotë i riu.
Ai aplikoi për startupin “Alpine Bees”, aplikacioni që monitoron përmes telefonit celular kosheret inovative të pajisura me teknologji bashkohore, nga ku mund të mësosh temperaturën brenda në koshere, lëvizjen e bletëve, sasinë e ushqimit dhe gjatë lëvizjes pa qenë nevoja të hapësh kosheret.
“Kosheret inovatiove rrisnin me 30 % prodhimin e bletëve duke lejuar që të gjitha të dilnin në kullotë gjatë verës pa patur nevojë ventilimin e produktit brenda në koshere, pasi vetë kosherja inovative e mundëson këtë”, thotë Rinaldo.
Challenge Fund” ose “Fondi i Sfidës” që zbatohet nga Ambasada Suedeze, pjesë integrale e projektit “BE për Innovacionin” mbështet financimin e sipërrmarjeve të reja novatore dhe ofruesit e shërbimeve të inovacionit në Shqipëri. Aktualisht “Challenge Fund” mbështet 40 start-up dhe organizata që mbështesin inovacionin në Shqipëri në fushat e turizmit, agrobiznesit, arkitekturës, tekstilit dhe shërbimeve të biznesit, zgjidhje dixhitale dhe Shërbime IT.
Hubert Perr, Shef i Bashkëpunimit në Delegacionin e Bashkimit Evropian në Shqipëri, gjatë vizitës në parkun e bletëve në Torovicë, vlerësoi djain e ri për nismën e marrë duke e inkurajuar se mbështetja e BE me fonde për të rinjtë inovatorë do të vazhdojë.

Ndërsa në vitin e parë të prodhimit Rinaldo mblodhi 200 kg mjaltë lulesh, gështenjash dhe trumzë, pas 3 vitesh me 160 kosheret e tij ka arritur të mbledhë 400 kg mjaltë lulesh, 500 kg mjaltë gështenjash, 300 shishe propolis dhe 150 shishe (10 ml) qumësht blete.
Rinaldo thotë se “sot ka ndryshuar rrënjësisht dhe se vështirësitë me të cilën është rritur e kanë forcuar besimin tek vetja”.
Në planet e së ardhmes është dhe përfundimi i universitetit, ndërsa në biznes qëllimi është të shtojë edhe më shumë aktivitetin.
“Qëllimi im është të zhvendosem në Alpe për të kullotur bletët në lule endemike që rriten vetëm në këto anë të pashkelura dhe do të punoj fort për këtë”, thotë Rinaldo.
Frika e familjarëve se nuk do të mësohej me jetën e fshatit dhe nuk do të mundte të mbante biznesin e tij, sot nuk është më. Rinaldo u ka dhënë sigurinë e plotë se gjërave që nis u shkon deri në fund.
“Kur isha në vitin e dytë të biznesit tim, gjatë një konkursi për projektet ide, një prej anëtarëve të jurisë na pyeti se nëse ideja jonë do të dështonte, cili do të ishte plani i dytë që kishim në mendje. Dhe përgjigjia ime ishte ndryshe nga konkurrentët e tjerë: Ideja ime e biznesit, nuk do të dështojë”.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



