Njerez

Vuante nga një sëmundje e rëndë, ndërron jetë artistja e njohur, Hueyda El Sayed

Pas një beteje me një sëmundje të rëndë, mëngjesin e kësaj të marte ka mbyllur sytë në moshën 46-vjeçare balerina e njohur, Hueyda El Sayed.

Artistja që kujtohet nga të gjithë për energjinë pozitive, ndërroi jetë në një spital në Luksemburg, ku edhe jetonte prej disa vitesh.  

Hueyda El Sayed ka lindur në Tiranë, ndërsa prejardhja e saj ka qenë nga Sudani, por në studiot televizive, ajo do ta tregonte gjithmonë me krenari faktin se kishte origjinë treçerek sudaneze dhe çerek shqiptare.   

Hueyda ishte nga ato artiste që kishin provuar të bënin gjithçka sa i takon televizionit, duke provuar disa fusha, të cilat do ta kthenin në një figurë të dashur për të gjithë. Hueydën do ta shihnim si balerinë, këngëtare, moderatore, spikere lajmesh dhe piktore.

Nëse do të ktheheshim pas në kohë dhe do të kujtonim disa nga programet televizive që bukuroshja e ekranit ka prezantuar do të përmendnim: “Një këngë për ty”, “7 nga shënimet e mia dhe Kioska” dhe “Në restorant”. Hueyda ka marrë pjesë edhe në festivalet e muzikës shqiptare, ndër ta “Top Fest” dhe “Kënga Magjike”.

Përpos balerinë, moderatore e këngëtare, ajo ishte edhe një piktore shumë e talentuar.  Ndërsa si modele, ajo ka qenë pjesë e një numri reklamash televizive në Francë, Kamerun, Belgjikë, dhe Portugali.

Në vitin 2000 ajo do të botonte edhe romanin e saj të parë “Ngjyra e lëkurës sime”, ndërsa në vitin 2006 doli libri i dytë, një roman.

Prej disa vitesh Hueyda jetonte në Luksemburg së bashku me të birin, Gabrielin dhe partnerin e saj.

Para rreth një viti kur bota ishte e izoluar nga pandemia, Hueyda dhe Thierry zbuluan se ishin martuar në një ceremoni private.

Bukuroshja e ekranit ishte martuar më 18 dhjetor në një ceremoni minimaliste ku pjesëmarrës ishin personat e saj më të afërt.

“Ishte një dasmë minimaliste, por e mbushur plot sharm, emocione dhe gëzim. Fustanet i kisha blerë në Paris njëzet e katër orë para se të mbylleshin dyqanet e të fillonte karantina e dytë për francezet. Buqetën e luleve e bleva këtu në Luksemburg, por s’e mbajta kurrë në dorë sepse e harrova në shtëpi (qesh). Unazat i kishim zgjedhur prej kohësh tek një bizhutier i njohur, por ngaqë ndryshuam datën e martesës për 18 dhjetor në unazat tona është shënuar data 11 dhjetor”, do të shprehej ajo në një intervistë.  

Gjithashtu ajo ka treguar edhe për marrëdhënien e Gabriel me bashkëshortin e saj, ku do të pranonte se ishin shumë të lidhur me njëri-tjetrin.  

Hueyda el Sayed do të mbahet mend jo vetëm për artin e saj, por edhe për energjinë dhe vitalitetin…


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë