Emigranti nga Shqipëria, Alekandër Mici, i cili iku nga vendi drejt SHBA-ve pas rënies së diktaturës komuniste dhe i rreshtuar në Partinë Republikane, po kërkon të sfidojë për senatin amerikan, veteranin e Nju Jorkut, Chuck Schumer, liderin e fuqishëm të mazhorancës demokrate për zgjedhjet që zhvillohen në 2022-in.
Sipas gazetës “The New York Post”, Mici u largua nga Shqipëria në vitin 1991 dhe ai tha se rritja nën regjimin brutal të Enver Hoxhës ishte një përvojë formuese në jetën e tij. Sipas tij, kjo është arsyeja pse ai e do Amerikën dhe përçmon socializmin.
Mici, 46 vjeç, tha se ndërsa demokrati Schumer votoi për rritjen e taksave, i riktheu atij edhe njëherë idenë sikur po jetonte nën diktaturën komuniste të Enver Hoxhës.
“Unë po vuaja, si miliona shqiptarë, nën një diktaturë tiranike komuniste dhe po luftoja për të arritur në Amerikë. Dhe tani, pothuajse tre dekada më vonë, e kaluara është një prolog: nën udhëheqjen e Chuck Schumer, demokratët ende po bëjnë gjithçka me fuqinë e tyre për të rritur kostot për gjithçka, ndërsa amerikanët e përditshëm luftojnë”, u shpreh ai për ‘The Post’.
Shqiptari do ta nisë zyrtarisht fushatën e tij për zgjedhjet e vitit 2022 të enjten, ndërsa Chuck Schumer, një ish-kongresmen, po kërkon një mandat të pestë si senator i Nju Jorkut.
Mici, një avokat në zonën e famshme të Bronksit, ka kandiduar më parë për Këshillin Bashkiak, ku mori 45 % të votave në një zonë me shumicë demokrate.
“Vizioni i së majtës për Amerikën nuk është Amerika që brezat e emigrantëve si unë luftuan për ta arritur”, tha Mici.
Nga ana tjetër, ish-senatori i Partisë Republikane, Al D’Amato, deklaroi se Schumer është mjaft popullor dhe i njohur dhe përballë tij gara është shumë e vështirë veçanërisht për një kandidat të panjohur.
Anëtar i Partisë Demokratike, Schumer është senator i lartë i Shteteve të Bashkuara të Amerikës nga Nju Jorku, një vend që e mban që nga viti 1999.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



