Disa vjet pasi Kalifornia legalizoi kanabisin për përdorim të të rriturve në 2016, Danielle Simone Brand vendosi ta provonte. Një gazetare në Paqësorin Veriperëndimor të SHBA-së, Brand, atëherë 42 vjeç, zbuloi se kanabisi e bëri atë të ndihej “më mirë dhe më e lumtur në trupin dhe mendjen time”. Duke parë kanabisin ligjor si një mjet mirëqenieje, asaj i pëlqeu shpejt sesi vetë përdorimi i substancës përmirësoi aftësinë e saj për të prindëruar dy fëmijët e saj, tani 8 dhe 11 vjeç.
“Kanabisi më ndihmon në momente të caktuara. Unë mund ta lë mënjanë listën time të detyrave të ditës, së bashku me çfarëdo sfide dhe zhgënjimi që kam përjetuar atë ditë, dhe të futem në atë lloj hapësire ku mund të ndihmoj me durim me detyrat e shtëpisë ose të bëj darkë me vajzën time”, thtoë ajo.
Brand, autorja e “Weed Mom: The Canna-Curious Woman’s Guide to Healthier Relaxation, Happier Parenting, and Chilling TF Out”, thotë se kanabisi e ndihmoi atë të ngadalësonte jetën mjaftueshëm sa të qëndronte me fëmijët e saj para gjumit. Për shkak se shpesh nxitonte t’i çonte në shtrat në një orë të arsyeshme dhe të kishte pak kohë për veten, Brand thotë se po humbiste kohën që kishte mundësi të kalonte me fëmijët e saj. Ajo tregon se para se të konsumonte kanabis, ajo nuk dëgjonte detaje të rëndësishme të fëmijëve të saj, atë që ato mësonin, se si ndjeheshin në shkollë dhe marrëdhënien e tyre me shokët.
Brand thotë se ky lloj prindërimi nuk është një fenomen i ri pasi ajo ka parë për disa vite nëna që përdorin kanabis për të qenë më të suksesshme në prindërim.
Teksa shkroi librin e saj, veçanërisht “për nënat që nuk dinin shumë për kanabisin”, ajo kuptoi se duhet dhe një libër që i jep jehonë kësaj qasje dhe që shpjegon se “ne mund të jemi prindër të përgjegjshëm dhe të konsumojmë kanabis në të njëjtën kohë”.
“Ka pasur grupe shumë të vogla në fillim por tani janë gjithmonë e në rritje”, thotë Brand.
Zbatimi i përhershëm i legalizimit në nivel shtetëror të SHBA-së dhe legalizimi mbarëkombëtar në Kanada, ka zgjeruar aksesin në kanabis për të rriturit. Dhe megjithëse është e vështirë të përcaktohet saktësisht se sa nëna përdorin kanabis, zgjerimi i komuniteteve të kanabisit (që tashmë quhen Cannamoms) në internet sugjeron se më shumë nëna po përqafojnë përdorimin e kanabisit për t’i ndihmuar ato të menaxhojnë jetën si prindër.
“Në të njëjtën mënyrë që njerëzit bëjnë verë”
Hera e parë që studiuesja Heather McIlvaine-Neësad dëgjoi për kanamoms ishte rreth vitit 2018, duke parë grupe në Facebook.
Pedagoge e antropologjisë në Universitetin e Illinois, McIlvaine-Neësad vuri në dukje se disa nga grupet e diskutimit në Facebook kishin funksionuar për disa vite. Sot, ajo thotë se ka shumë grupe të tilla në Facebook, me mijëra anëtarë.
McIlvaine-Neësad thotë se lëvizja e kannamoms demonstron diçka që ka mbetur e pashprehur më parë: nënat po përdorin kanabis në jetën e përditshme.
Latrese Thomas, 40 vjeç, në Amerikë, thotë se ajo kombinon kanabisin me prindërimin “në të njëjtën mënyrë si njerëzit bëjnë verë”.
“Pas një dite të gjatë me fëmijët, veçanërisht gjatë pandemisë, kur isha në shtëpi me të tre, sapo fëmijët ishin në gjumë, unë bëja një banjë, hidhja disa kripëra kanabisi në vaskë dhe gjithashtu konsumoja një cigare kanabis”, thotë Thomas, e cila ka dy adoleshentë dhe një vogëlush.
53-vjeçarja Barinder Rasode gjithashtu ndjeu se stresi i saj u rrit gjatë pandemisë. Me tre fëmijë, Rasode luftoi për të prindëruar në mes të Covid-19, veçanërisht ndërsa përpiqej t’i shpjegonte fëmijës së saj 17-vjecar se çfarë po ndodhte.
“Ke të bësh me një adoleshent, bota e të cilit është kthyer përmbys dhe është i mbyllur në një hapësirë të vogël, për një kohë të gjatë”, thotë Rasode, një ish politikane.
Për të ndihmuar në qetësimin e nervave të saj, ajo përdori kanabis.
“Konsumimi i kanabisit jo vetëm që ndihmoi në lehtësimin e ankthit tim për situatën, por më bëri një prind më të durueshëm”.
Shumë kannamoms, duke përfshirë Rasode, Thomas dhe Brand, e përdorin kanabisin në doza shumë të vogla.
“Keqkuptimi më i madh është se njerëzit mendojnë se në pimë kanabis shumë kur në fakt është njësoj sikur të pish një cigare. Ne vazhdojmë të funksionojmë, të punojmë apo bëjmë cdo gjë që bënim më parë”, thotë Thomas.
“Kur jam me nerva apo nuk po duroj dot më, thjesht marr një dozë të vogël dhe jam në rregull më pas. Një dozë e vogël nuk është rrezik”, thotë Brand.
Hulumtimet janë ende të paqarta rreth përfitimeve dhe rreziqeve të konsumimit të dozave të vogla, ose rreth përdorimit të kanabisit në masë të madhe. Një rishikim i vitit 2017 nga Akademia Kombëtare e Shkencave arriti në përfundimin se ka prova të kufizuara që sugjerojnë se kanabisi mund të shkaktojë të njëjtat efekte si substancat e tjera. Studime të tjera kanë treguar se konsumimi i kanabisit sjell rreziqe shumë të mëdha mbi shëndetin mendor dhe fizik.
Aktualisht, sipas hulumtimeve, rreziku më i madh rreth përdorimit të kanabisit duket se janë lëndimet dhe aksidentet që mund të ndodhin për shkak të njerëzve që përdorin kanabis. Ashtu si çdo substancë dehëse, ajo mund të ndikojë në gjykimin dhe kohën e reagimit, dhe është treguar për shembull, se rrit rrezikun për të bërë një aksident me motor.
Si përfundim, ka apo jo studime përfundimtare, konsumimi i kanabisit kërkon shumë kujdes dhe mbetet një rrezik, sidomos për ato që nuk e kanë konsumuar më parë ose pa dashje konsumojnë më shumë se ç’duhet.
Nënat që pranojnë se konsumojnë kanabis kanë një problem tjetër të madh në rrjetet sociale pasi “kryqëzohen” nga njerëzit.
“Të gjitha mamatë e reja që kanë pranuar se konsumojnë kanabis marrin komente nga më negativet si: ‘ti je një nënë e keqe’, ‘po jep një shembull të keq për fëmijët e tu’, ‘po promovon përdorimin e drogës’, dhe madje ‘ti nuk duhet të rrisësh fëmijë’, thotë Brand.
Ajo shton se ka edhe fëmijë që nuk pranohen nga shoqëria apo shkolla vetëm sepse mamatë e tyre përdorin kanabis.
Thomas, si një nënë që jeton në periferi dhe një grua me ngjyrë, ajo është e kujdesshme se kujt i tregon për përdorimin e kanabisit, edhe pse mendon se gjykimi është i padrejtë dhe hipokrit.
“Të gjithë njohin nëna që pinë verë apo dalin për darka me nëna të tjera ku konsumojnë alkool ndërkohë që nënat që konsumojnë një cigare (kanabis) gjykohen dhe kritikohen”, thotë Thomas.
Edhe pse vë në dukje se ne nuk i dimë ende efektet afatgjata të kanabisit në shëndetin e grave, McIlvaine-Neësad beson gjithashtu se fokusi i vazhdueshëm në efektet negative të kanabisit është një ngecje politike nga ndalimi i kanabisit, dhe jo produkt i shqetësimeve legjitime mjekësore.
Komunitete të ndryshme kanë nivele të ndryshme të kritikave rreth prindërve që përdorin kanabis, madje edhe në vendet dhe shtetet në të cilat kanabisi legalizohet. McIlvaine-Newsad thotë se pranueshmëria shoqërore e nënave që përdorin kanabis varet nga vendi ku ndodhet nëna, qoftë në një shtet specifik të Amerikës apo në botë. Ligjshmëria e kanabisit luan një rol të dukshëm në pranueshmërinë e tij shoqërore, megjithëse edhe në vendet ku ai është i ligjshëm, McIlvaine-Newsad thekson “kjo varet nga statusi juaj socio-ekonomik, nga statusi arsimor i komunitetit ku jetoni dhe statusi politik”.
McIlvaine-Neësad thotë se qëndrimet e gjeneratave kanë filluar të ndryshojnë dhe disa nga studentët e saj madje raportojnë se gjyshërit e tyre përdorin kanabis. Ajo beson se ky ndryshim brezash ka ndodhur pikërisht në kohën e duhur për t’i shërbyer lëvizjes në zhvillim të kannamoms. Ajo gjithashtu beson se brezat e rinj janë më pak gjykues, kështu që me kalimin e kohës, do të zhduket dhe paragjykimi.
Thomas thotë se fqinjët e saj skeptikë duhet të mësohen me faktin se shumë njerëz rreth tyre tashmë po konsumojnë kanabis.
Burimi: BBC. Përshtati: Gazeta “Si”
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



