Ngritja e Muzeut Hebraik në Vlorë që do të rrëfejë historinë shqiptaro-hebreje, kalon në një tjetër fazë tashmë, atë të nënshkrimit të marrëveshjes për ngritjen e fondacionit të menaxhimit të këtij muzeu.
Të hënën Ministria e Kulturës nënshkroi një marrëveshje me Fondin Shqiptaro-Amerikan për Muzeun Hebraik Shqiptar në ambientet e Ministrisë së Kulturës.
Në fjalën e saj, ministrja e Kulturës, Elva Margariti, tha se ky muze do të shërbejë jo vetëm për të mbajtur gjallë një histori, por edhe për të lidhur dy vendet me njëri-tjetrin.
“Marrëveshja që nënshkruajmë sot është jo vetëm një dokument që shënon një gur kilometrik në njohjen e historisë së rrallë shqiptare në vitet e errëta të Holokaustit, por është për institucionin e Ministrisë së Kulturës, e për qeverinë që kam nderin të përfaqësoj sot, një hap historik në mendësinë e re të krijimit e menaxhimit të muzeve. Dhe më vjen mirë që partner yni në këtë nismë është sërish Fondi Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim AADF”, tha Margariti.
Kryetari i Bordit të Fondit Amerikano-Shqiptar për Zhvillim, Michael Granoff, vlerësoi ndihmën e popullit shqiptar për hebrenjtë.
“Fondacioni do e ndihmojë muzeun të ngrejë ura lidhëse me komunitetin hebraik dhe institucionet ndërkombëtare studimore, të cilat bashkërisht do të kontribuojnë në ngritjen e fondit dhe përmbajtjes së muzeut dhe do i mundësojë atij të zhvillojë një program bashkëkohor”, u shpreh ai.
Ministrja Margariti tha se muzeu do të bëhet më i prekshëm kur do të shpallet dhe fituesi nga 5 studio arkitekture që janë në garë për të ndërtuar muzeun.
“Ky muze do të bëhet edhe më i prekshëm në muajin dhjetor, pas shpalljes së projektit fitues, mes 5 propozimeve që vijnë nga studio prestigjioze në Izrael, Austri, Gjermani e Itali”, shprehet ministrja Margariti.
Fondacioni i menaxhimit të Muzeut Hebraik në Vlorë është një institucion, që synon tërheqjen e financimeve për ruajtjen e historisë shqiptare gjatë viteve të errëta të Holokaustit.
Ekspozita e muzeut do të bazohet kryesisht në rrëfim dhe do të përfshijë histori personale, njerëz në foto dhe video, emra individësh dhe të pjesëtarëve të familjes së tyre dhe paraqitjen e fakteve të ndjeshme historike.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



