Investitori miliarder Ray Dalio ka vendosur zilen e alarmit për ndjekësit e tij në kushtet kur inflacioni në SHBA po rritet në nivelet më të larta që nga viti 1990 dhe i paralajmëroi ata se rritja e vlerave të portofolit në fakt nuk nënkupton rritje të pasurisë.
“Disa njerëz bëjnë gabimin duke menduar se po pasurohen sepse po shohin që asetet e tyre rriten në çmim pa parë se si po gërryhet fuqia e tyre blerëse”, shkroi Dalio në një postim në LinkedIn. “Më të prekurit nga kjo situatë janë ata që paratë i mbajnë në formë fizike.”
Dalio, themeluesi miliarder i Bridgewater Associates, ka qenë prej kohësh i njohur për pikëpamjen e tij se ka asete më të mira për t’u mbajtur sesa paratë fizike mes shtypjes së parave të bankës qendrore. Në periudhat e rritjes së çmimeve, ai thotë se në fakt është më e rëndësishme të shikoni se çfarë mund të blini me ato para.
Kur krijohen shumë para dhe kredi, ato ulen në vlerë, kështu që të kesh më shumë para nuk do të japë domosdoshmërisht një pasuri më shumë ose fuqi blerëse,” shkroi Dalio, duke shtuar se pasuria reale bëhet një funksion i kapacitetit prodhues me kalimin e kohës. “Shtypja e parave dhe dhënia e tyre nuk do të na bëjë më të pasur nëse paratë nuk drejtohen për të rritur produktivitetin.
Dalio kishte një paralajmërim të fortë për SHBA-në dhe tha se do të ishte e rëndësishme të mbanin parasysh implikimet nga zhvillimet e politikave.
“Nuk ka një individ, organizatë, vend apo perandori që nuk ka dështuar kur ka humbur fuqinë e saj blerëse,” shkroi ai. “Shtetet e Bashkuara tani po shpenzojnë shumë më tepër para sesa fitojnë dhe paguajnë për to duke shtypur para që po zhvlerësohen. Për të përmirësuar ne duhet të rrisim produktivitetin dhe bashkëpunimin. Tani për tani jemi në rrugën e gabuar.”
Burimi: Bloomberg/ Përshtati: Gazeta “Si”
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




