Treg

A janë kriptomonedhat “hallall”? Këshilli Fetar i Indonezisë i ndalon për myslimanët

Përdorimi i aseteve të kriptove si monedhë është i ndaluar për myslimanët, sipas Këshillit të Liderëve Fetarë të Indonezisë.

Këshilli Kombëtar i Ulemasë, ose MUI, e ka konsideruar kriptomonedhën si “haram”, ose të ndaluar, pasi ka elemente të pasigurisë, basteve dhe dëmtimit, tha Asrorun Niam Sholeh, kreu i dekreteve fetare. Nëse kriptomonedha si mall ose aset digjital mund t’i përmbahet parimeve të Sheriatit dhe mund të tregojë një përfitim të qartë, atëherë ajo mund të tregtohet, shtoi ai.

MUI mban autoritetin për pajtueshmërinë me Sheriatin në vendin që është shtëpia e popullsisë më të madhe muslimane në botë, me ministrinë e financave dhe bankën qendrore që i konsultojnë ata për çështjet e financave islame.

Vetë qeveria ka qenë mbështetëse e aseteve kripto, duke lejuar që ato të tregtohen së bashku me kontratat e së ardhmes së mallrave si një opsion investimi dhe duke nxitur krijimin e një shkëmbimi të fokusuar në kripto deri në fund të vitit. Indonezia nuk lejon përdorimin e aseteve të kriptove si një formë monedhe, pasi rupiah është mjeti i vetëm ligjor në vend.

Ndërsa vendimi nga MUI nuk do të thotë se i gjithë tregtimi i kriptomonedhave do të ndalet në Indonezi, dekreti mund t’i pengojë muslimanët të investojnë në asete dhe t’i bëjë institucionet lokale të rishqyrtojnë lëshimin e aseteve kripto. Banka e Indonezisë po shqyrton një monedhë digjitale të bankës qendrore, pa asnjë vendim të shpallur ende.

Transaksionet e kriptove arritën në 370 trilion rupiah (26 miliardë dollarë) në pesë muajt e parë të vitit në Indonezi, ende një pjesë e tregut global me rreth 3 trilion dollarë.

Qëndrimi i udhëheqësve fetarë të Indonezisë mund të ndryshojë nga homologët e tyre në vende të tjera me shumicë myslimane. Emiratet e Bashkuara Arabe kanë lejuar tregtimin e kriptove në zonën e lirë të Dubait, ndërsa Bahreini ka mbështetur asetet e kriptove që nga viti 2019.

Burimi: Bloomberg/ Përshtati: Gazeta “Si”


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë