Menaxhim

Drafti i MTM: Tregtarët e makinave duhet të informojnë për efektet dëmtuese të mjeteve në reklamim

Ministria e Turizmit dhe Mjedisit ka dërguar në Kuvend një draft mbi kontratat e shit-blerjes apo qirave të makinave dhe rregullave të reja.

Koncesionarët apo tregtarët e makinave të reja duhet të respektojnë rregullat e lidhura me marketingun, ku përfshihet informimi mbi konsumin e karburantit të mjetit(llogaritur për 100 kilometra) si dhe shkarkimet e CO2.

Në dokument thuhet se “Çdo tregtar/shitës që shet ose jep me qera autovetura të reja për pasagjerë, është i detyruar të marrë masat për informimin e konsumatorëve lidhur me:

a) konsumin lëndës djegëse dhe shkarkimet e CO2, për modelet e autoveturave që janë në shitje;

b) kostot operative vjetore dhe taksat që aplikohen sipas legjislacionit në fuqi për modelet e autoveturave të reja;

c) pasojat në shëndet dhe në mjedis që vijnë nga konsumimi i lëndëve djegëse dhe shkarkimet e CO2 sipas modeleve të autoveturave të reja”.

Sipas draftit, tregtari i automjeteve i vendos informacionet në vend të dukshëm. Të dhënat të jenë të vërteta, të sakta dhe të qarta, sipas informacionit të pasqyruar në etiketën, manualin, posterat, literaturën dhe materialet promovuese, reklama etj, që shoqërojnë autoveturën e re.

“Dokumentacioni promocional mbi konsumin e lëndës djegëse dhe shkarkimet e CO2 për çdo model të ri autoveture në shitje, përfshin:

a) etiketën mbi konsumin e lëndës djegëse dhe shkarkimet e CO2;

b) manualin mbi konsumin e karburantit dhe shkarkimet e CO2;

c) afishimin/ posterin për shitjen e autoveturave të reja;

d) materialet promocionale.

Etiketa të jetë në gjuhën shqipe dhe në përputhje me kërkesat e përcaktuara në Shtojcën I, bashkëlidhur këtij Vendimi. Etiketa vendoset ose shfaqet në mënyrë të qartë dhe të dukshme pranë çdo modeli të ri autoveture në pikën e shitjes” thuhet në dokument.

Udhërrëfyesi mbi konsumin e lëndës djegese dhe shkarkimet e CO2 përgatitet nga Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimeve të Transportit Rrugor (DPSHTRR) në konsultim me tregtarin, në përputhje me kërkesat e Shtojcës II, bashkëlidhur këtij Vendimi. Udhërrëfyesi të jetë në version hard copy si edhe në versionin elektronik. Versioni hard copy, i shtypur në letër të jetë i transportueshëm dhe kompakt.

“Mungesa e informacionit nga tregtari ose shitësi, në pikën e shitjes apo të dhënies me qira të autoveturave  të reja, që lidhet me konsumin e lëndës djegëse dhe shkarkimet e CO2 në përputhje me kërkesat e këtij vendimi, përbën kundërvajtje administrative dhe ndëshkohet sipas parashikimeve në shkronjën “b”, të pikës 1, të nenit 57, të ligjit nr. 9902, datë 17.4.2008 “Për mbrojtjen e konsumatorit” thuhet në dokument.

Efektet juridike të draftit janë parashikuar të fillojnë në 1 janar 2023 duke pasur parasysh që ky vendim është në fazën e tij fillestare dhe do të duhet të konsultohet me palët e interesit.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë