Teatri Kombëtar duket se është “mallkuar”. Nuk është titull shfaqjeje, por ajo që po ndodh kohët e fundit në skenën e teatrit.
Pas disa shfaqjeve të anuluara më herët, një tjetër shfaqje u anulua të mërkurën për arsye shëndetësore të aktorit kryesor. Shfaqja “Një Madam nga Argjentina”, produksion i Teatrit “Skampa” të Elbasanit, që do të vihej mbrëmë në skenën e TK, është anuluar pasi aktori kryesor, ka rezultuar me Covid, pak para nisjes së shfaqjes, ndërkohë që biletat ishin shitur.
Për këtë arsye, anulimi i shfaqjes ka sjellë irritimin e spektatorëve, pasi kjo nuk është hera e parë. Edhe pse kësaj here ishte një produksion i Teatrit Skampa të Elbasanit, Teatrit Kombëtar i është dashur edhe dy herë të tjera të anulojë shfaqje për të njëjtat arsye (disa të sëmurë edhe me Covid dhe një aktor u aksidentua), duke nisur me “Fermën e Kafshëve”, pastaj edhe me komedinë “Edmond” për shkak se u aksidentua aktori Lulzim Zeqja.
“Teatri Kombëtar përfaqëson një shtet, nuk është teatër privat”, shkruan i irrituar një komentues.
Ndërsa, një tjetër shkruan: “U bë si barsoletë… dublantët ku i keni?”.
Duke marrë shkas nga pakënaqësitë e artdashësve, institucioni teatror ka reaguar me anë të një statusi të gjatë në rrjetin social “Facebook”, ku liston edhe arsyet se pse Teatri Kombëtar nuk ka një plan “B”.
“Shumë prej jush kanë shkruar të pakënaqur në rrjetet tona sociale për këto situata të krijuara, duke pretenduar për mungesën e një ‘PLANI B’ të Teatrit, ndoshta me dublimin e aktorëve të shfaqjeve. Teatri Kombëtar e ndjen për detyrë të sqarojë gjithë publikun se sistemi i dublantit është një praktikë e cila zhvillohet në teatrot e vendeve të lindjes me trupa shumë të mëdha permanente (80-100 aktorë) në organikën e tyre. Këtë praktikë e ka përdorur Teatri Popullor i para viteve ’90, kur trupa e tij artistike përbëhej nga rreth 70 aktorë”, thuhet në njoftimin e Teatrit Kombëtar.
Dublimi i roleve sipas institucionit është edhe i pamundur në Teatrin Kombëtar për shkak të numrit të paktë të aktorëve dhe buxheteve të pamjaftueshme për të rekrutuar aktorë të jashtëm.
“Fatkeqësisht sot, Teatri Kombëtar ka 28 aktorë permanentë të tre brezave të ndryshëm, aktorë të cilët shpërndahen në të gjithë produksionet që zhvillon TK, dhe kjo ngarkesë në shfaqje të ndryshme e bën të pamundur dublimin e roleve. Gjithashtu, buxhetet shumë të kufizuara të institucioneve artistike publike e bëjnë të pamundur rekrutimin e aktorëve të jashtëm, në një masë të konsiderueshme e të vlefshme për dublim”.
Në njoftimin sqarues vihet në dukje se edhe në teatro që është përdorur kjo praktikë, nuk ka rezultuar efektive.
“Mund të japim shembullin aktual të Teatrit Kombëtar në Bukuresht, një teatër me 120 aktorë permanentë, i cili, pavarësisht numrit të madh të stafit të tij, u detyrua të anulojë shfaqjen e datës 7 Nëntor 2021, ‘për arsye objektive’”.
Duke i kërkuar mirëkuptimin publikut për situatat e shkaktuara nga pandemia, Teatri Kombëtar sqaron edhe mënyrën se si do veprohet me rimbursimin e biletave.
“Ju bëjmë thirrje të afroheni pranë biletarisë tonë te ArTurbina për të rimbursuar biletën tuaj për shfaqjet ‘Ferma e Kafshëve’ dhe ‘Edmond’ brenda datës 20.11.2021 dhe shfaqjes së Teatrit ‘Skampa’, ‘Një Madam nga Argjentina’ brenda datës 17.11.2021”.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



