Drejtori i Përgjithshëm i Sigurimeve Shoqërore, Astrit Hado, i cili mori pjesë ditën e sotme në Komisionin për Punën, Çështjet Sociale dhe Shëndetësinë, tha sa do të ketë një mënyrë ndryshe të indeksimit të pensioneve për vitin e ardhshëm. Sipas tij kjo rritje nuk do të jetë në të njëjtën normë me inflacionin e përgjithshëm, por do të jetë në normën e rritjes së çmimeve për disa mallra dhe shërbime të veçanta që janë më të përdorshme nga mosha e tretë
Gjithashtu ai theksoi se nëse do të ketë një rritje të vogël të inflacionit gjatë vitit 2022 atëherë diferenca do të mbulohet nga buxheti i Sigurimeve Shoqërore, nëse rritje do të jetë e madhe atëherë ajo nuk do të mund të mbulohet dot nga ISSH.
“Dua t’i kthej përgjigje pyetjes për sa i përket parashikimit në buxhetin e 2022-shit për indeksimin e pensioneve. Në ligj është e përcaktuar qartë që pensionet e caktuara dhe që paguhen janë vetëm subjekt i indeksimit. Ajo që është bërë është që është përcaktuar një indeks i veçantë për pensionistët dhe nuk indeksohen me inflacionin e përgjithshëm, por indeksohen me inflacionin e një shporte të caktuar mallrash dhe shërbimesh që janë gjerësisht të përdorshme nga pensionistët.
Gjatë të gjitha viteve të fundit indeksi i veçantë për pensionistët ka qenë më i lartë se inflacioni i përgjithshëm. Që do të thotë që nëse rritet çmimi i energjisë dhe i bukës, rritet dhe indeksi i inflacionit për pensionistët. Në rast se do të ketë një shtim të inflacionit këto muajt e fundit, sigurisht do të reflektohet në indeksin që do të prodhohet nga INSTATI.
Parashikimi është bërë për një indeks inflacioni i cili është plus minus siç ka qenë inflacioni i vitit 2021.
Nëse do të ketë rritje të menjëhershme të inflacionit, brenda buxhetit të sigurimeve ka hapësira për ta kapur një indeks më të madh. Është e pamundur të përballohet nëse ka një rritje nga 2.8 në 6, pasi është e pamundur ta përballojë buxheti aktual, por nëse ka një rritje nga 2.8 në 3, kjo është e mundur për tu përballuar nga buxheti i Sigurimeve Shoqërore”, tha Hado.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.