Njerez

Fëmijë, zgjidhini mirë idhujt! Rashford nderohet nga Princi Uilliams për fushatën ndaj varfërisë

Markus Rashford, sulmuesi i Mançester Junajtid dhe Anglisë, ka marrë titullin “MBE” (Member of the British Empire) nga Princi Uilliam për aktivitetin dhe fushatën që ai ka bërë në mbështetje të fëmijëve të varfër në Britaninë e Madhe gjatë pandemisë së Covid-19.

Ky vlerësim për sulmuesin anglez 24-vjeçar është bërë të martën në një ceremoni të veçantë në kështjellën “Windsor”, ku e pranishme ishte edhe nëna e Markusit, Melani.

Markus Rashford pozon me titullin e marre. Gazeta Si, 10 nentor 2021

Rashford ka bërë fushatë për të siguruar ushqime falas në shkolla për fëmijët e varfër. Ai e detyroi qeverinë në dy momente që të zgjeronte mbështetjen e këtyre fëmijëve, fushata e tij rezultoi e suksesshme në ndryshimin e politikave.

Nëna e lojtarit, Melani, i ka mbështetur gjithmonë përpjekjet e tij për ndryshime sociale me punën e saj në bankat ushqimore lokale në Mançester. Rashford ka vazhduar fushatën e tij të varfërisë ushqimore, duke krijuar një grup pune, që merret me supermarketet dhe bankat e mëdha ushqimore në Mbretërinë e Bashkuar.

“Ka shumë punë për të bërë, – tha Rashford për gazetarët jashtë pallatit mbretëror. – Jemi ende larg asaj ku duam të jemi, ose ku mendojmë se fëmijët meritojnë të jenë. Ne vetëm duhet të vazhdojmë të punojmë”.
Ylli i Mançester Junajtid bëri edhe një postim në Tuiter, ku shkroi: “Një nder ta kaloj mëngjesin me ty Princi Uilliam. Faleminderit që e bëtë ditën kaq të veçantë për mua dhe mamanë time. Jemi shumë krenarë”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë