Fiks një muaj para mbledhjes së paralajmëruar të Kuvendit Kombëtar, në Partinë Demokratike do të depozitohen zyrtarisht të mërkurën firmat për mbledhjen e Kuvendit.
Ish-Kryeministri Sali Berisha deklaroi gjatë takimit në Pogradec se do të dorëzohen 4200 firma nga 7800 delegatë.
“Kam një lajm të keq për peng kryetarin. Nesër dorëzohen 4200 firma të Kuvendit Kombëtar. I them kryetarit pa parti përkulu para firmave të anëtarëve të PD se 4200 kanë firmosur. Do të vijnë në atë Kuvend 10 mijë të tjerë do të jetë festa më e madhe e PD në historinë e saj, do të jetë triumfi i saj, do të jetë rikthimi i saj i plotë dhe i sigurt në fitoren ndaj narko-shtetit… Basha jep dorëheqjen ose do të të shkarkojmë’- tha Berisha.
Nuk dihet se kush do të dorëzojë firmat në PD por kjo është thjesht çështje procedure.
Në bazë të statutit të PD-së, Kuvendi Kombëtar mund të mblidhet edhe kur e kërkojnë 1/4 e anëtarëve të PDSH-së ose 1/4 e anëtarëve të Kuvendit Kombëtar.
Data e zhvillimit të Kuvendit dhe rendi i ditës njoftohen të paktën një muaj përpara ditës së parë të Kuvendit.
Punimet e Kuvendit drejtohen nga një Komision i përbërë nga 5 anëtarë, i cili zgjidhet në fillim të punimeve të tij, me propozimin e Kryetarit të Partisë.
Lulizm Basha ka deklaruar në anën tjetër se nuk do ta njohe mbledhjen e Kuvendit Kombëtar. Por jo vetëm. Paralelisht me depozitimin e firmave, Basha në anën tjetër mësohet se do të shpërndaje deputetët në bazë, për të nisur një aksion me strukturat.
Kontaktet e deputetëve do të shtrihen gjatë gjithë muajit në bazë, për të identifikuar në fund të fundit, peshën që secili prej tyre Basha dhe Berisha kanë në një parti e ndarë tashmë në dysh.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje