Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare (AKEP) ka përgatitur dokumentin e Planit të veprimit për adoptimin e teknologjisë 5G në Shqipëri për të cilën operatorët celularë kanë paraqitur disa nga shqetësimet e tyre.
Dokumenti rekomandon që procedura e tenderit për dhënien e autorizimeve për përdorimin e frekuencave në brezin kryesor të teknologjisë 5G, atë 700 MHz të shpallet deri në mesin e vitit të ardhshëm.
Sipas Planit Kombëtar të Frekuencave, që u miratua në mars të këtij viti, brezi 694-790 MHz, do të kalojë përfundimisht nën administrimin e AKEP duke filluar nga 30 qershori 2022.
Gjenerata 5G është kufiri i ri teknologjik i komunikimeve të lëvizshme, që pritet të sjellë shpejtësi interneti shumë më të larta se ato që janë ekzistuese.
Lidhur me çmimin minimal që do të kërkohet nga pjesëmarrësit në tender, plani rekomandon që, në bashkëpunim me Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë dhe operatorët e komunikimeve elektronike, të kryhet një dëgjesë publike.
Një ndër shqetësimet e operatorëve është se abonimi i përdoruesit përfundimtar mund të mos krijojë të ardhura të nevojshme për ta bërë rrjetin 5G ekonomikisht të qëndrueshëm.
Sipas tyre, është thelbësore që qeveria kur vendos një çmim minimal të përqendrohet në arritjen e qëllimeve të lidhjes digjitale: kjo do të thotë që interesi për përfitimet afatgjata sociale dhe ekonomike nga zhvillimi i brezit të gjerë 5G duhet të tejkalojë interesin afatshkurtër të qeverisë në maksimizimin e të ardhurave shtetërore.
Operatorët shprehen të shqetësuar se çmimi i lartë i ankandit mund të zvogëlojë aftësinë e tyre për të pasur kapitalin e nevojshëm për zhvillimin e infrastrukturës teknike të kërkuar 5G.
Gjithashtu, ata kanë kërkuar që autorizimet për frekuencat e teknologjisë 5G të paguhen me këste për të paktën pesë vjet.
Operatorët rekomandojnë që qeveria të marrë në konsideratë zbatimin e mekanizmave fiskalë për stimulimin e investimeve në zonat e thella dhe rurale, të cilat sipas tyre kanë një kosto shumë të lartë zhvillimi dhe, në mungesë të subvencionimit shtrirja e rrjeteve 5G do të kërkojë një kohë të gjatë për t’u zhvilluar atje.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje