Treg

Për herë të parë emetohen obligacionet 15-vjeçare, kërkesa kalon limitin

Për herë të parë në Shqipëri janë emetuar, obligacionet me maturim 15-vjeçar me kupon 5.88%.

Ankandi doli me sukses, ku nga 1 mld lekë shumë e shpallur kërkesa arriti në 4.3 mld lekë, me 48 kërkesa nga të cilat u pranuan vetëm 9.

Obligacionet 15 vjeçare janë titujt më afatgjatë të emetuara nga qeveria shqiptare dhe zakonisht tregojnë më shumë siguri për investitorët dhe për vet qeverinë lidhur me huamarrjen e brendshme.

Qeveria shqiptare ka nisur shfrytëzimin e strategjisë së zgjatjes graduale të maturitetit të elementëve të borxhit për të kapur norma të ulëta të interesit.

Në fund të tremujorit të tretë të këtij viti, borxhi afatgjatë, me maturim mbi një vit, përbënte mbi 67% të stokut të borxhit të brendshëm, nga më pak se 49% që zinte në fund të vitit 2013. Mes instrumenteve afatgjata, vlerën më të lartë në strukturën e borxhit të brendshëm e kanë obligacionet 5 vjeçare, me 16.9% të totalit, të ndjekura nga obligacionet 10 vjeçare me 15.3%.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë