Njerez

“Nuk jemi Ne të pasur, jam Unë i pasur”. Një leksion për fëmijët nga Shakill O’Nill

Lista tani bëhet edhe më e gjatë. Pas Bill Gejts dhe Zukerberg, pas Gordon Ramsei dhe Sting, edhe Shakill O’Nill, ish-basketbollisti i famshëm amerikan, u jep një mesazh të qartë 6 fëmijëve të tij për pasurinë.

“Duhet të mësojnë se çfarë është impenjimi dhe puna, duhet të ecin me këmbët e tyre”, – thotë ish-ylli i NBA-së, tani komentator në televizion, duke folur për podkastin “Earn Your Leisure”. Më tej vazhdon: “Janë pak të inatosur me mua, nuk më kuptojnë. U them gjithmonë fëmijëve të mi: nuk jemi Ne të pasur, jam Unë i pasur”.

Sakill O’Nill, kur luante me Lejkersat ne NBA. Gazeta Si, 7 nentor 2021

“Shak” siç njihet nga të gjithë, ka pohuar se ka fituar më shumë se 286 milionë dollarë gjatë 19 sezoneve që ai ka luajtur në NBA. Aktualisht, pasuria e tij neto shkon në mbi 400 milionë dollarë. I lindur dhe i rritur në një lagje të varfër të Nju Xhersit, ku shkolla ishte një luks, ai ka arritur deri në NBA falë punës së palodhur dhe përkushtimit.

“Fëmijët e mi e dinë mirë cili është rregulli i vetëm: studimi. Nuk më intereson, nëse luajnë apo jo basketboll”, – ka shtuar O’Nill, i cili ka zbuluar se ëndrra e tij është që fëmijët të bëhen doktorë, farmacistë, avokatë, apo sipërmarrës.

“Duhet të kenë një diplomë. Nëse duan të investojnë në një nga aktivitetet e tyre, duhet të ma prezantojnë dhe duhet të ma shesin. Atëherë do t’i mbështes ekonomikisht. Këtë ua kam bërë të qartë mirë, nuk u jap asnjë qindarkë vetëm se janë fëmijët e mi”, – ka thënë në fund Shakill O’Nill.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë