Treg

5 banka shqiptare të interesuara për të blerë Alpha Bank. Kapitali i fundit grek në treg

Procesi i shitjes së bankës Alpha Bank në vendin tonë është në fazën e shqyrtimit të ofertave nga të interesuarit që janë të pranishëm në tregun bankar shqiptar. OTP Bank, Fibank, ABI Bank, Tirana Bank dhe Union Bank janë 5 konkurrentët e interesuar për Alpha-n. Në proces nuk është banka sllovene NLB Banka e cila fillimisht kishte paraqitur ofertë.

Më herët u përfol se bankën greke mund ta blinte grupi Kastrati, por subjekti nuk është pjesë e garës.

Alpha Bank ka bërë një pastrim të kredive me probleme dhe i ka ato në nivelin 3%.

Banka e fundit greke në Shqipëri vitet e fundit nuk ka pasur bilanc pozitiv, në krahasim me bankat e tjera ka rezultuar poshtë mesatares dhe negative dhe ka ruajtur një tendencë të ngadaltë të rritjes së madhësisë së saj.

Nëse miratohet procesi përfundimtar i shitjes së Alpha, tregu bankar në Shqipëri do jetë plotëisht i “pastruar” nga kapitali grek duke mbyllur një kapitull 25 vjeçar. Mediat greke kanë reaguar të shqetësuara se largimi i bankës së fundit greke nga Shqipëria do të sillte dobësimin e strategjisë greke në vendin tonë.

Në mesin e këtij viti, Alpha Bank – Shqipëri zotëronte 4.8% të tregut bankar shqiptar, me një total aktivesh prej rreth 80 miliardë lekësh. Ndryshe nga bankat e tjera në proces shitje.

Që nga fundi i vitit 2015, totali i aktiveve të Alpha Bank është rritur me rreth 15%. Kjo rrjedhë pak a shumë normale e biznesit lidhet me faktin që aksionerët nuk kishin projektuar një dalje nga tregu shqiptar, të paktën jo në fazën kur një hap të tillë e ndërmorën dy bankat e tjera greke, NBG Bank dhe Tirana Bank.

Vitin e kaluar, Alpha Bank e mbylli me rezultat financiar pozitiv, që sipas standardit ligjor IFRS ishte 111 milionë lekë, ndërsa sipas standardit lokal të Bankës së Shqipërisë ishte rreth 320 milionë lekë. Për 6-mujorin 2021, rezultati financiar sipas IFRS është me humbje neto në vlerën e 155 milionë lekëve, ndërsa sipas standardeve të Bankës së Shqipërisë, rezultati ishte pozitiv në vlerën e 56 milionë lekëve. Në terma të kthimit nga kapitali, Alpha Bank Albania vitin e kaluar siguroi një kthim modest prej 2.4%, ndërsa në vitin 2019, kthimi kishte qenë vetëm 2.3%. Me sa duket, këto kthime janë vlerësuar të pakënaqshme nga aksionerët, duke i shtyrë drejt vendimit për ta nxjerrë bankën në shitje


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë