Menaxhim

Ministria e Mjedisit sugjeron shtyrjen e Moratoriumit të gjuetisë me 5 vite të tjera

Ministria e Turizmit dhe Mjedisit ka nxjerrë për konsultim draftin ku thuhet se moratoriumi i gjuetisë mund të shtyhet përsëri me 5 vite të tjera.

Moratoriumi u shty për herë të fundit në vitin 2016 me 5 vite dhe pritej që këtë vit të përfundonte.

Në draft thuhet se do të përjashtohen nga fusha e zbatimit pra nga ndalimi i gjuetisë, rastet kur ajo kryhet për shkak të mbipopullimit të një lloji të faunës së egër, në zonat e lejuara për gjueti dhe në rezervatet e mbarështimit, sipas legjislacionit në fuqi për gjuetinë.

Po kështu në rastet kur gjuetia bëhet për qëllime kërkimore-shkencore.

Në nenin 6 parashikohet se organet që monitorojnë rregullat për ndalimin e ushtrimit së gjuetisë në të gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë janë: Ministria e Turizmit dhe Mjedisit nëpërmjet institucioneve të varësisë brenda fushës së përgjegjësisë që mbulon; Ministria e Brendshme nëpërmjet Inspektoratit Kombëtar të Mbrojtjes së Territorit dhe Policisë së Shtetit; Strukturat përgjegjëse kontrolluese/inspektuese në bashki.

Të gjitha këto struktura kanë të drejtë të vendosin gjobë në rast të konstatimit të shkeljes.

Drafti parashikon edhe sanksionet në rastet kur konstatohet shkelje. Në nenin 7 thuhet se shkeljet, kur nuk përbëjnë vepër penale, përbëjnë kundërvajtje administrative dhe dënohen sipas rastit.

Kur  shkelja kryhet e organizuar nga operatorët e tureve të gjuetisë, shoqatat e gjuetarëve ose federatat e gjuetarëve, subjekti që e organizon dënohet me gjobë në masën 800 mijë  – 1 milion lekë.

Kur shkelja kryhet nga një person ose personi është pjesëtar i subjekteve organizuese, sipas shkronjës “a”, të kësaj pike, personi dënohet me gjobë në masën 80 mijë – 100 mijë lekë.

“Në rastet e përsëritjes së shkeljes nga subjektet, përveç dënimit me gjobë, vendoset si dënim plotësues edhe heqja e lejes së gjuetisë, si dhe konfiskimi i armës së gjahut” thuhet në draft.

Moratoriumi për ndalimin e gjuetisë u miratua fillimisht në mars të vitit 2014 për 2 vite, dhe në vitin 2016 u zgjat edhe me 5 vite të tjera. Qëllimi i këtij ligji ishte ndalimi i ushtrimit të aktivitetit të gjuetisë, për përmirësimin e gjendjes së llojeve të faunës së egër, objekt gjuetie.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë