Ngjarje

Shqipëria do të marrë pjesë për herë të parë në kampionatin ndërkombëtar të bartenderave

Krijohet Shoqata e parë e bartenderave në Shqipëri. “Shoqata e bartenderave të Shqipërisë” është hapur nga 5 të rinjë që synojnë të përhapin kulturën e tyre në vend, të arrijnë që Shqipëria të përfaqësohet për herë të parë në konkursin ndërkombëtar të baristave dhe më e rëndësishmja, “do bëjmë çdo gjë që në fund të ditës njerëzit të dinë të pinë”.

Në Europë, ne kemi qenë i vetmi vend që nuk kishim një përfaqësi të IBA (International bartender Association- Shoqata ndërkombëtare e Banakierëve).

Tani, shoqata ka për mision të mbështesë dhe suportojë rritjen e nivelit profesional dhe të prestigjit të bartenderëve në Shqipëri, nëpërmjet trajnimit e edukimit profesional, konsulencën në evidentimin dhe zgjidhjen e problemeve të fushës, në interes dhe të turizmit ne vend dhe aktivitete të ndryshme jofitimprurëse për standarde më të larta të këtij profesioni, me qëllim modernizimin dhe përafrimin e tij me standardet bashkëkohore.

Kleantino Goga presidenti i Shoqatës tregon për Gazetasi.al se gjatë gjithë eksperiencës personale të tij dhe 4 anëtarëve të tjerë, drejtues të bordit është parë se kërkohet një organizim për të shpalosur ide, problematika, dhe për të shfaqur një tjetër nivel, një tjetër standard, ose “çfarë ne kemi nevojë si komunitet”.

Kleantino Goga presidenti i Shoqatës, Gazeta “Si”, 5 nentor, 2021

“Ishte e nevojshme të kishim një shoqatë në Shqipëri pasi eksperienca e bartenderave nuk është vetëm ajo e dikushit që bën kokteje pas barit, është dikush që merr njohuri më të thella”, thotë Goga i cili shton se kjo shoqatë do të unksionojë si një akademi ku do të ketë trajnime, seminare, të ftuar nga jashtë, bartendera, somelierë, përfaqësues të kompanive të ndryshme dhe çdo gjë që lidhet me pijen.

Të qenit bartender në Shqipëri është një ndër profesionet së fundmi goxha të vlerësuara dhe po ndërtohet e qartësohet ajo ideja se çfarë do të thotë të jesh bartender. Në perëndim është një ndër profesionet më fisnike sepse siç thotë Goga, je gjithmonë në krijim dhe madje quhet një ndër profesionet me trysninë më të madhe sepse është punë fizike edhe mendore njëkohësisht. “Që do të thotë, në momentin që ti je duke krijuar në ide, duhet ta implementosh në një kohë të shpejtë. Sidomos në lokalet e natës vonë, ku shpejtësia është shumë e rëndësishme”.

Goga thotë se e rëndësishme është se në Shqipëri tani kuptohet se kush është një bartender. “Edhe në terma financiarë është një ndër profesionet goxha të paguara këtu”.

Në këtë Shoqatë mund të bëhet pjesë cdo njeri që është i interesuar për të qenë një batender apo dhe dikush që thjesht pëlqen një pije.

“Ndoshta mund të jetë edhe dikush që thjesht i pëlqejnë koktejlet apo pije të ndryshme, ndoshta thjesht do të dijë një informacion dhe në këtë Shoqatë mund të gjejë çdo info”.

Shoqata do të ndahet në tre nivele.

Niveli i parë është friendly bartender ku secili që ka dëshirë dhe ka thjesht nevojën më të vogël për të marrë informacione rreth koktejit ose rreth produkteve të tij duke filluar që nga lloji i gotave që përdoren ose nga llojet e alkooleve që ekzistojnë ose duke marrë update-t e fundit nga të gjitha pajisjet që përdoren nëpër bare, mund t’i mësojë nga kjo shoqatë.

Në këtë nivel nuk është e nevojshme të jesh bartender. Niveli i dytë është bartender ku ka nevojë për një diplomë klasike, nga çfarëdolloj akademie sepse “sigurisht, duke qenë në menaxhimin e IBA, jemi të detyruar të mbajmë një standard dhe të ecim në një hap me strukturën nënë me një test të 77 koktejeve klasike të IBA-s”.

Niveli i tretë është niveli advance bartender ku mund të aplikojnë ato që kanë mbaruar një akademi si këtu edhe jashtë. Paralel me këto, “ne do të zhvillojmë edhe akademinë tonë ku do të jenë dy nivelet bazik”. Niveli ‘klasik bartender’ ku do të mësohen të gjitha teknikat e bartenderit dhe do të mësohen koktejet klasik e çdo gjë për secilin nga ato. Niveli tjetër do jetë ‘advance bartender’ ku do të jenë pedagogë dhe profesionistë nga IBA, anëtarë të baristëve nga e gjithë bota dhe do të ketë shkëmbime eksperiencash “kështu që mendoj se do jetë një shoqatë që do i rrisë baristët profesionalisht”.

Goga tregon se të bëhesh bartender ka nevojë për teori dhe praktikë. Është një profesion i mirëfilltë, personat që duan të jenë bartender duhet të fillojnë të studiojnë, të bëjnë trajnime, dhe më pas të jenë gjithmonë në kërkim për të mësuar më shumë pasi ka dhe shumë lloj kualifikimesh si profesion siç janë bartender klasik, advance, ka kualifikime për barista, për artin e xhonglimit të shisheve, ka kualifikime për mixcologist që është pjesa e krijimit të asaj që themi “kuzhina e barit”, krijimi i shurupave, biterave, parfumave.

Në këtë shoqatë do bëhen gjatë gjithë kohës seminare ku do të prezantohen produkte të reja në treg që lindin në botë, do të prezantohen instrumenta të rinj, mjetet e punës, alkooolet e reja, do të prezantohen ato që janë këtu dhe “ne do të mundohemi që të eksportojmë potencialin tonë”.

Goga thotë se Shoqata do të eksportojë produktet më të mira Shqiptare në tregun ndërkombëtar si dhe për herë të parë në Shqipëri do të ketë bartender që do të përfaqësojë Shqipërinë në kampionate të organizuara nga IBA.

Ajo që është e rëndësishme është partnershipi midis akademive të ndryshme, bareve dhe agjencive të punësimit.

“Ideja është që ka shumë bartendera që studiojnë ose mbarojnë akademinë në shqipëri dhe e kanë të vështirë të gjejnë punë, kjo sepse tregu është i tillë”.

Shoqata e bartendereve të Shqipërisë do të sjellë një pasqyrim të gjithë koktejeve që ndodhen në vendin tonë.

Duke qenë se ne jemi përfaqësues direkt në Shqipëri të organizatës ndërkombëtare të baristave, që është organizata më e vjetër në botë, ne do të sjellim një pasqyrim të gjithë koktejerisë që ndodhet në shqipëri, të shohim rrugën nga kanë ardhur dhe gjithë historinë.

“Ne do të sjellim kulturën e bartenderave në vendin tonë”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë