Keshilla

A po kompensojnë prindërit konkurrues pasiguritë e tyre?

Kushdo që ka një fëmijë dhe madje shumë njerëz që nuk kanë, njeh një prind konkurrues.

Disa prindër flasin për arritjet njohëse dhe akademike të fëmijës së tyre. Të tjerë tregojnë për aktivitetet jashtëshkollore të pasardhësve të tyre, ose ‘ndihmojnë’ fëmijët që të bien në sy të prindërve të tjerë. Sido të jetë, një prindërim konkurrues nuk është ndihmues aq sa duket në pamje të parë, madje mund të jetë bezdisës.

Çuditërisht, pak teori e shpjegojnë se çfarë e shtyn prindërimin konkurrues. Një teori është se kjo është për shkak të nevojës së prindërve për të forcuar vetëvlerësimin e tyre, duke vërtetuar se janë mjaft të mirë.

Një studim zbuloi se pasiguria i shtynte nënat e reja të konkurronin për t’u siguruar pasuri materiale fëmijëve të tyre. Të tjerë thonë se mediat sociale kanë filluar të normalizojnë këtë lloj sjellje.

Por ka ekspertë që mendojnë se prindërimi konkurrues është në fakt një kompensim. Prindërit që nuk janë mjaftueshëm të mirë në një fushë, tentojnë të jenë dyfish të mirë në një fushë tjetër. Për shembull, kur një prind ndjehet jo i aftë mjaftueshëm në profesionin e tij, mundohet të kalojë gjithë vëmendjen tek roli i tij si prind dhe të arrijë më të mirën aty.

Kjo nuk është diçka e keqe. Është mirë që prindërit të mundohen të jenë të mirë në një fushë por duhet të dihen limitet pasi në momentin që futet në “lojë” prindërimi konkurrues, ndryshon sjellja e prindërit dhe fiksimi i tyre mund të jetë thjeshtë për të rritur ndjenjën e vetëvlerësimit.

“Në mjedisin e sotëm hiper-konkurrues dhe të ndërlidhur, krahasimet në rritje janë të pashmangshme”, thotë Anat Keinan, profesor i marketingut në Universitetin e Bostonit.

“Individët shpesh përballen me pamjaftueshmërinë në profesion duke u përqendruar në fusha në të cilat ata mund të sinjalizojnë arritje dhe të ndjehen superiorë”.

Në një nga eksperimentet për të testuar këtë sjellje, Keinan dhe bashkëautorët Dafna Goor dhe Nailya Ordabayeva ekzaminuan sjelljen prindërore. Studiuesit rekrutuan 502 prindër që punonin dhe i ndanë në dy grupe: ‘gjendje kërcënimi’ dhe ‘gjendje pa kërcënim’. Të dy grupet lexuan materiale ku shpjegohej se do të merrnin pjesë në një ribashkim me shokët e shkollës së mesme dhe do të shikonin një dosje ku kishte të shkruar se çfarë bënin tani gjithë shoqëria.

Më pas, në grupin e ‘gjendjes së kërcënimit’, pjesëmarrësit lexuan gjithashtu në dosje se një nga ish-shokët e tyre të klasës ishte punonjësi më i suksesshëm i vitit.

Më pas pjesëmarrësve iu dhanë dy dosje për të shkruar arritjet e tyre.

Grupi i kërcënimit e renditi “prindi më i mirë ndonjëherë”, mbi suksesin profesional, në një kontekst ku një nga bashkëmoshatarët e tyre tashmë ishte caktuar si punonjësi më i suksesshëm i vitit.

Me fjalë të tjera, ata mendonin se “prindi më i mirë ndonjëherë” do të ishte një metodë më efektive për të rivendosur statusin e tyre sesa përpjekja për të nxjerrë në pah suksesin e tyre profesional.

Kjo gjë nuk kufizohet vetëm për prindërit. Keinan shpjegon se ne gjithashtu shikojmë në fusha që përfshijnë moralin, spiritualitetin dhe përvojat unike joprofesionale si përfundimi i një gare, përfshirja në sporte ekstreme ose vizita e destinacioneve ekzotike të udhëtimit për të sinjalizuar statusin dhe për të rritur vetëvlerësimin.

“Prindërimi është një identitet që njerëzit kanë, duan të shfaqin dhe të shpërblehen për të”, shpjegojnë Jay Van Bavel dhe Dominic Packer psikologë.

“Në fakt, ai mund të jetë identiteti absolut më i spikatur dhe më i rëndësishëm për shumë njerëz”.

Në fund, orientimi kryesor në prindërimin konkurrues nuk është krejtësisht negativ.

Ndërsa mburrja nuk është kurrë e dëshirueshme apo e rekomanduar, është e rëndësishme që prindërit t’i kujtojnë vetes se “ka më shumë se një mënyrë për t’u ndjerë i suksesshëm dhe ka mënyra alternative për të përmbushur nevojën e tyre”, thotë Keinan.

Çelësi është që prindërit të mos e përkufizojnë suksesin shumë ngushtë ose të fiksohen në një fushë të jetës, pasi kjo është ajo që krijon një atmosferë intensive konkurruese dhe kalimi nga prindërimi në fusha të tjera është jetik për të mbajtur një marrëdhënie të shëndetshme me fëmijët. Në fund të fundit, prindërimi konkurrues lidhet me miqësitë e shkatërruara mes të rriturve dhe me rritjen e stresit mes fëmijëve.

Burimi: BBC. Përshtati: Gazeta “Si”


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë