Shpallet konkursi për realizimin e “Logos”, e cila do të jetë simbolikë përfaqësuese, përgjatë kremtimit të “Javës së Flamurit” për vitin 2021.
“Jemi në prag të festave të mëdha të nëntorit, që do t’i presim në një atmosferë të gëzueshme së bashku. Ftojmë çdo krijues të bëhet pjesë, duke konkurruar për realizimin e logos së kësaj jave aktivitetesh”, tha ministrja Elva Margariti.
“Synimi i realizimit të kësaj ‘Logo’, në kremtimin e ‘Javës së Flamurit’, duhet të jetë pasqyrimi i një konfiguracioni simbolik, si një krijim origjinal në përmbajtje dhe në formë. Logoja do të shoqërojë evenimentet zyrtare të Institucioneve Qendrore Shtetërore, si pjesë identifikuese e festimeve në këtë kuadër”, thuhet në thirrjen e shpallur nga Ministria e Kulturës.
Konkursi ka nisur që në datën 3 nëntor dhe zgjat deri më 15 nëntor.
“Shpallja e fituesit do të bëhet jo më vonë se data 16 nëntor”, njofton Ministria e Kulturës.
Punimet duhet të jenë origjinale, të papublikuara dhe autori mban përgjegjësi ligjore për autencitetin e tyre para ligjit.
“Punimi i Logos, duhet të jetë shprehje artistike figurative ose grafike. Secili formateve duhet të paraqitet i punuar me ngjyra i printuar nga kompjuteri dhe në formë elektronike. Logo duhet të paraqitet në sfond të bardhë, të zi dhe me ngjyrë, si dhe të dorëzohet në formatet: Eps, Pdf, Jpg, Png”, njofton ministria.
Vlerësimi artistik i çmimit fitues është 100.000 (njëqind mijë) lekë, ku përfshihet dhe taksa e aplikueshme sipas legjislacionit në fuqi.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



