Shoqata e Bashkive e konsideron kontradiktor dhe jo në përputhje me parimet e së drejtës kushtetuese opinionin që Komisioni i Venecas i ka dërguar Gjykatës Kushtetuese në lidhje me kompetencat për shqyrtimin e vlefshmërisë së zgjedhjeve të 30 qershorit 2019.
Avokati i kësaj shoqate, Jordan Daci tha se opinioni nuk është detyrues dhe Gjykata Kushtetuese, përkundër asaj që thuhet në opinion duhet të marrë një vendim.
“Sepse opinioni na thotë që nuk është kompetencë e Gjykatës Kushtetuese, por nuk na thotë se kush e ka kompetencën për të shqyrtuar pretendimet për shkeljen e një të drejte kushtetuese?”, deklaroi Daci.
Avokati shtoi se në opinion Venecia nuk u është referuar rasteve të shqyrtuar nga Gjykata e të Drejtave të Njeriut në Strasburg.
“Komisioni i Venecias ka dështuar të japë një opinion të saktë. Si mund të shkojmë ne në Strasburg nëse nuk kalojmë Gjykatën Kushtetuese. Bindja Demokratike hyri në zgjedhje fiktivisht, u regjistrua në KQZ pa u regjistruar në Gjykatë si subjekt politik. Gjykata Kushtetuese ta injorojë këtë opinion të Komisionit të Venecias”, tha ai.
Gjykata Kushtetuese është mbledhur këtë të martë për të vendosur në lidhje me fatin e 30 qershorit.
Kushtetuesja është vënë në lëvizje nga një padi e ngritur nga Shoqata e Bashkive, kur kjo e fundit drejtohej nga kryebashkiakja e Shkodrës, Voltana Ademi.
Para kësaj vendimmarrjeje, Kushtetuesja iu drejtua Komisionit të Venecias me disa pyetje. Në përgjigjet e kthyera nga ekspertët e Venecias thuhet se Kushtetuesja nuk ka kompetencë që të gjykojë vlefshmërinë e zgjedhjeve të 30 qershorit, por mund të shqyrtojë kushtetutshmërinë e vendimit të Presidentit Ilir Meta për anulimin e tyre.
Vendimi i Gjykatës Kushtetuese zhbllokon një sërë procesesh të tjera politike e kushtetuese, ku e sigurt është që do të mbahen zgjedhje, në mos të parakohshme në të gjitha bashkitë e vendit, të pjesshme në gjashtë bashkitë e mbetura pa kryetarë, mes të cilave ajo e Shkodrës, Durrësit e Lushnjes.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



