Gjithnjë e më shumë prindër po e shohin të pamundur “menaxhimin” e fëmijëve dhe po u drejtohen psikologut, qoftë për ndihmë të specializuar, qoftë për këshilla prindërimi. Të paktën këtë pohojnë vetë ekspertët e shëndetit mendor, të cilët shprehen se këto dy vitet e fundit ka pasur një rritje të kërkesave për terapi dhe duket se gjithçka fillesat i pati gjatë pandemisë.
Psikologet Migena Kurushi dhe Aljona Jonuzi thonë për Gazetasi.al se ka një rritje të kërkesës së prindërve për terapi dhe këshilla prindërimi, më së shumti për adoleshentët.
“Ndoshta shkaku ishte koha e tepërt qe prindërit patën në dispozicion për të kaluar me fëmijët e tyre dhe sigurisht evidentuan gjëra që më herët nuk kanë mundur t’i evidentojnë”, thotë Kurushi. Ajo tregon se “ankesat” dhe nevojat janë nga më të ndryshmet dhe rastet të cilat “na paraqiten më së shumti janë sigurisht adoleshentët”.
Kjo sepse është mosha kur fëmija kalon ndryshime të shpejta fizike dhe emocionale.
Shkaqet janë nga më të ndryshmet, kryesisht sepse realiteti në të cilin përballen është shumë i egër dhe ata janë tepër të papërgatitur për t’u bërë pjesë e tij.
“Kemi prindër të cilët kanë preferuar ti dhurojnë gjithçka fëmijëve të tyre dhe kur fëmija rritet, bëhet adoleshent është prindi që shkëputet dhe mendon se është mjaftueshëm i madh tia dali vetë, por fëmija ende e kërkon prindin dhe prezencën e tij dhe pse herë pas here qëndrimet, sjellja apo fjalët mund të duket sikur nuk e duan”, thotë Kurushi e cila shton se një problem sot është se prindërit nuk përpiqen të zhvillojnë një dialog konstruktiv pa shënime të “mërzitshme” moralizuese dhe të tepruara.
Një arsye pse prindërit “nuk kanë më nerva” është intensiviteti i ditës, stresi i lartë çka bëjnë që prindi të ketë më pak durim për të patur një komunikim cilësor me fëmijën.
Kurushi thotë për Gazetasi.al se shpesh herë këshillon prindërit mbi ngritjen e zërit.
“Kini parasysh se adoleshentët tuaj nuk preken nga të bërtiturat, ngritja e zërit ose leksionet. Këto metoda të edukimit nuk janë më efektive dhe ngritja e zërit është shenjë e dobësisë. Përveç kësaj, adoleshentët shpejt mësohen tonet e larta të zërit dhe fillojnë t’i injorojnë ato”.

Ariana Muca psikologe thotë për Gazetasi.al se në ditët e sotme prindërimi ka marrë rolin paresor në familje pasi dhe detyrimet për një mirë rritje i kanë vënë prindërit përpara një presioni sa familjar por edhe shoqëror.
Grupmosha ku gjithmonë problemet bëhen prezente janë pikërisht para adoleshenca dhe adoleshenca.
“Këtu prindërit fillojnë të vënë rolin prindëror në pikëpyetje se ku kanë dështuar duke qenë se janë përpjekur të plotësojnë kërkesat e shkollimit dhe ato ushqimore e materiale dhe harruar kohën cilësore që kanë nevojë kjo grupmoshe”.
Muça thotë se përshtatja në komunikim është shumë e rëndësishme.
“Prindërit nuk duhet të bëhen shokë të adoleshentëve” pasi kjo sjell dhe abuzimin që bëjnë fëmijët duke i parë si shokë prindërit dhe fillojnë të thyejnë rregullat familjare që për një prind janë të patolerueshme.
Cili është “problemi” më i madh që kanë prindërit me adoleshentët?
Muça tregon se ka përplasje mendimesh dhe debate nga mënyra se si e shikojnë të ardhmen por edhe ngjarjet e aktualitetit, sidomos kërkesa për autonomi në vendimmarrje.

“Dëshira që kanë adoleshentët të mos trajtohen si të vegjël, të mos anashkalojnë prindërit dëshirat për të thyer rregulla, gjëra që në të vërtetë mund të duken shumë për prindërit”.
Gjithashtu sipas Muçës, është një kohë që komunikimi me adoleshentët sa vjen dhe bëhet më i vështirë plus që prindërit tanimë e dinë se modeli prindëror që kanë pasur më parë nuk ka dhënë efekt.
Modeli i dhunës sjell rebelim dhe jo qetësim, sjell frikë, pasiguri dhe kjo e bën adoleshentit edhe më të prekshëm nga modelet antisociale, të përfshihet në kriminalitet ose të përdorë lëndë narkotike.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



