Biznes

Ndalimi i turistëve shqiptarë drejt Italisë nuk i ka trembur agjencitë

Vendimi i Italisë për të kufizuar lëvizjet e udhëtarëve nga Shqipëria ka ulur fluksin e punës së agjencive  vendase të udhëtimit ndonëse kushtet nuk janë të vështira për t’u përmbushur. 

Përfaqesuesja E Metro Travel një ndër agjencitë e linjave ajrore në Shqipëri tregon se është ndjerë efekti i këtij vendimi dhe mund të përkeqësohet nëse afati zgjatet.

“Jane disa rezervime që janë shtyrë, por jo anulluar sepse vetëm si turist nuk shkon dot dhe shumë presin të marrin garanci nga një i afërm atje dhe mund të lëvizin”, -thotë përfaqesuesja e Metro.

Ajo shton se rënia është ndjerë tek rezervimet e reja pasi në frikën e një pamundësie për të lëvizur dhe shpenzimi të kotë, klientët po hezitojnë të lëvizin dhe nuk presin bileta.  Por shumica lëvizin me arsye të pranueshme.

Nderkohë nga Agjenci Arjani që merret me linjat ajrore dhe detare tregojnë për “SI” se e dinin dhe ishin në pritje të një vendimi të tillë, pasi është sezoni i tillë.

Përfaqësuesja e kësaj agjencie thotë se nuk është ndjerë diferenca pasi shumica e udhëtarëve që kanë rezervuar janë rezidentë, shqiptarë ose italianë. Ata që kanë pasur një rezervim turistik e kanë shtyrë, por jo anulluar.

“Ata që udhëtojnë kanë një kulturë, që domethënë i përshtaten kushteve të ndryshueshme dhe e dinë që kostot e shtyrjes apo anullimit e kanë po ato barrë dhe jo agjencia”, shton ajo.

Më 26 tetor 2021, Italia ndaloi turistët nga Shqipëria dhe disa vende të tjera të hynë në territoret e saj. Sipas vendimit të shtetit italian lejohet të udhëtojnë personat që kanë motive pune, shëndeti, studimi, urgjence, persona të cilët kthehen në vendin e tyre të rezidencës, familjarët e ngushtë të shtetasve shqiptarë të pajisur me leje qëndrimi të rregullt në Itali, për arsye biznesi apo ndonjë motiv të fortë. Të gjithë qytetarët që udhëtojnë në rrugë ajrore, detare apo tokësore duhet të plotësojnë minimalisht një ditë para formularin PLF, si kusht për të udhëtuar.

Nga të dhënat e Autoritetit Portual Durrës lëvizja e trageteve nga linjat italiane vazhdon normalisht, por me numër më të vogël udhëtimesh ditore, veprimtari normale për këtë periudhë ku lëvizjet janë më të reduktuara.

Agjencitë e udhëtimeve turistike në vendin tonë nuk i kanë anulluar ofertat e tyre disa ditpre në qytetet e Italisë, por asnjëra nga përfaqësuesit e tyre nuk pranoi të flasë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë