Art dhe Kulture

Muze, Ministria e Kulturës dhe objekte të tjera të trashëgimisë në programin e restaurimit

Muzeu Etnografik Krujë, Kulla Veneciane, Muzeu Etnografik në Kavajë, etj, do të restaurohen. Po ashtu pjesë e konservimit dhe rijetëzimit veç disa objekteve të trashëgimisë kulturore është dhe Ministria e Kulturës.

Kjo u bë me dije të mërkurën nga ministrja e Kulturës, Elva Margariti.

Ministrja tha se pas tri kantiereve të para, të tjera site presin t’i nënshtrohen restaurimit dhe rijetëzimit. “Në mbledhjen më të fundit komitetit drejtues të programit “EU4Culture”, me Ambasadorin e European Union in Albania, Luigi Soreca e përfaqësues të UNOPS prezantuam sitet e tjera, ku pritet të nisë puna në muajin dhjetor. Bëhet fjalë për Muzeun Etnografik në Krujë; urën e Kurçajt, Kullën Veneciane; Muzeun Etnografik në Kavajë; Hamamin në Durrës dhe Teatrin e Kukullave”, shprehet ministrja e Kulturës, Elva Margariti.

Ministrja Elva Margariti thotë se projekti do të vijojë dhe për objekte të tjera të trashëgimisë kulturore në vendin tonë.

“Po ashtu morëm vendimin për zhvillimin e projektit të konservimit dhe rijetëzimit për Kalanë e Ishmit, rrënojat e Kishës së Shën Marisë në Mamurras; ndërtesën e ish-të Persekutuarëve Politikë, Arqipeshkëvisë në Durrës dhe godinën e Ministrisë së Kulturës”, shprehet ministrja Margariti më tej.

Më herët është bërë me dije se programi “EU4Culture” do të dedikojë 40 milionë euro në rigjallërimin e qendrave dhe monumenteve të trashëgimisë kulturore të prekura nga tërmeti në Shqipëri.

Programi “EU4Culture” zbatohet nga Zyra e Kombeve të Bashkuara për Shërbimet e Projektit (UNOPS). “EU4Culture” është një nga programet më të mëdha të trashëgimisë kulturore e hartuar nga Bashkimi Europian, për sa i përket numrit të monumenteve dhe fondeve të përfshira.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë