Drejtësia

Shpërthimi në Gërdec, dosja hetimore ndaj Fatmir Mediut kalon në SPAK

Dosja e “Gërdecit” për hetimin ndaj ish-ministrit të Mbrojtjes, Fatmir Mediu ka kaluar në SPAK. Prej disa ditësh, Gjykata e Lartë ka çuar dosjen e Mediut në Prokurorinë e Posaçme Anti-Korrupsion.

Kalimi është bërë pas vendimit të Gjykatës së Apelit për rihapjen e gjykimit ndaj ish-ministrit për çështjen ku para 13 vjetësh humbën jetën 26 persona në fabrikën e demontimit në Gërdec.

Tashmë SPAK pritet të veprojë duke regjistruar çështjen për të vendosur nëse do kryejë hetime shtesë apo do ta nisë gjykimin nga themeli.

“Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, në zbatim të vendimit nr. 205, datë 24.09.2021, të Gjykatës së Posaçme të Apelit, pasi ka tërhequr nga Gjykata e Lartë aktet e dosjes penale në ngarkim të z. Fatmir Mediu, ka regjistruar procedim penal për veprat penale: “Shpërdorim i detyrës”, kryer në bashkëpunim, si dhe “shpërdorim i detyrës” në bashkëpunim me subjekt ushtarak, kuadër komandues, të parashikuara nga nenet 248 dhe 25 të Kodit Penal dhe 70/2 e 2 të Kodit Penal Ushtarak, në ngarkim të të pandehurit Fatmir Mediu", - thuhet në njoftimin e SPAK.

Njoftimi i SPAK

Hetimet për tragjedinë e 26 viktimave dhe qindra të plagosurve dhe një dëmi miliarda lekë, janë kryer në vitet 2008-2009, asokohe nga Prokuroria e Përgjithshme.

Ndërkohë Apeli i GJKKO, më 24 shtator mori vendimin për rikthimin për hetim në SPAK të dosjes, duke pranuar kështu kërkesën e prokurorisë dhe të familjes Durda.

13 vite pas tragjedisë, familjeve të viktima iu është rikthyer shpresa se mund të marrin drejtësinë e munguar për familjarët e tyre.

Apeli i GJKKO rrëzoi një vendim të mëparshëm të shkallës së parë, duke argumentuar se çështja nuk është gjykuar dhe se heqja e imunitetit të Mediut i hap rrugë procesit për rihetim. Në shpërthimin e Gërdecit më 15 mars 2008 humbën jetën 26 persona dhe ndërsa u plagosën qindra të tjerë.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë