Beteja ligjore për cirkun vazhdon. Ministrja e Kulturës, Elva Margariti ka reaguar për herë të dytë pas heqjes së Çadrës së Cirkut Kombëtar ku jep zgjidhjen momentale: artistët do i bëjnë provat nëpër palestrat e shkollave të ndryshme.
Ajo ka bërë me dije se aktualisht është vënë në dispozicion palestra e shkollës së mesme “Sinan Tafaj” në shërbim të artistëve të Cirkut.
“Bashkë me nënkryetarin e Bashkisë së Tiranës, Arbjan Mazniku ishim sot te Gjimnazi ‘Sinan Tafaj’, palestra e të cilit do të vihet në shërbim të artistëve të Cirkut. Është një nga hapat e parë që po ndërmarrim për zgjidhjen afatshkurtër të problematikës së Cirkut. Kemi gjetur bashkëpunimin më të mirë përmes Bashkisë së Tiranës, por edhe Drejtorive Arsimore Rajonale. Palestra që na është vënë në dispozicion do të shërbejë për shkollën e cirkut, e cila do të fillojë pasditeve. Jo pa qëllim kemi gjetur këtë shkollë, e cila gjendet shumë afër strukturës ekzistuese”, është shprehur ministrja Margariti.

Ndër të tjera, ministrja është shprehur se brenda nëntorit do t’i dorëzojnë Bashkisë së Tiranës të gjithë kërkesat për programin për evidentimin e hapësirave publike në kryeqytet për ngritjen e Cirkut Kombëtar.
“Ndërkohë me Bashkia Tiranë kemi nisur dialogimin për identifikimin e një hapësire për ngritjen e Cirkut të ri, në lagjet e reja në zhvillim.
Brenda nëntorit do t’i paraqesim Bashkisë një program të plotë, mbështetur në nevojat që ka cirku, në aspektin e vëllimeve, sipërfaqeve. Ndërkohë po identifikojmë hapësira publike dhe shkollore, ku cirku të vijojë aktivitetin e vet artistik”, thotë ministrja.
Nga ana tjetër, Kontrolli i Lartë i Shtetit ka nisur auditim për procedurat e ndjekura për Cirkun Kombëtar. Më datë 22 tetor pranë Kontrollit të Lartë të Shtetit artistët paraqitën me shkrim një kërkesë për hetim mbi veprimet apo mosveprimet e kryera nga Cirku Kombëtar dhe Ministria e Kulturës.
Historia e prishjes së Cirkut Kombëtar, ku përmbaruesit dhe artistët e cirkut përplaseshin mes tyre vijoi prej vitesh. Përplasjet nisën që kur Gjykata Administrative me vendim të formës së prerë i kaloi truallin, ku ndodhej Cirku Kombëtar pronarit privat.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




