Treg

U ble më pak se një muaj energji për 65 mln euro

Furnizuesi i Tregut të Lirë (FTL) ka siguruar më pak se 30 ditë energji elektrike për konsum më vlerën e 65 mln eurove, më e madhja për një afat të tillë.

Blerja është shtrirë në tre faza dhe nuk është siguruar masa e plotë e kërkuar.

Për datat nga 4 tetori deri në 31 tetor janë blerë në treg të lirë mbi 237 mijë MWh energji, përafërsisht me një çmimi mesatar me të cilën është siguruar një megavat/orë është rreth 273 euro/ MWh.

Qeveria shpalli në 8 tetor gjendjen e emergjencës në furnizimin me energji elektrike duke sjellë bashkë me të një sërë masash që nisin nga pezullimi i investimeve në sektorin e energjisë nga të tre operatorët dhe fokusimi i tyre tek sigurimi i energjisë për konsum deri tek vendosja në dispozicion të instrumenteve financiarë për OSHEE-në. Kjo e fundit ka në dispozicion 100 milionë euro për të siguruar energjinë e nevojshme gjatë këtij viti, pjesa më e madhe e të cilës është shpenzuar në tregun e lirë ndërkohë që 100 milionë të tjera janë në dispozicion për pjesën e parë të vitit tjetër. Gjendja e emergjencës është lënë në fuqi deri më 15 prill 2022.

Aktualisht çmimet e energjisë në bursa vijojnë të mbeten të lartë edhe pse disi më ndryshe nga mesi i tetorit. Në Bursën e Hungarisë 1 MWh për datën 26 tetor u shit mesatarisht me 235 euro, ndërkohë që në pik regjistroi vlerën 251 euro. Ekspertë ndërkombëtarë të sektorit të energjisë dhe ekonomistët parashikojnë që kriza e energjisë të zgjasë të paktën dy vjet deri në stabilizimin e çmimeve për shkak të kushteve dhe faktorëve kompleksë që e krijuan atë dhe nga e cila po vuan një pjesë e mirë e globit.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë