Art dhe Kulture

Tirana pa Cirkun Kombëtar, akrobatja e pashpresë: Mund të largohem nga Shqipëria

Juxhina Madhi është akrobate e Cirkut Kombëtar që prej vitit 2007. Ajo ka filluar që në moshën 7-vjeçare si nxënëse në studion e Cirkut dhe ka vijuar me performancat e saj fizike në arenë si pjesë e trupës profesioniste.

E gjendur përballë faktit që çadra e cirkut nuk është më, pra nuk ekziston më “shtëpia” e saj dhe e kolegëve ku kanë performuar numrat e tyre akrobatikë, teksa ndihet e pashpresë, akrobatja 29-vjeçare fajëson organet kompetente.

“Përmbaruesit nuk i vë faj se në fund të fundit kërkon të drejtën e vet, mënyra si e ka fituar është punë për atë dhe organet që merren me këtë çështje. Ne na nxorën jashtë, tani jemi në rrugë, nuk kemi asnjë vend ku të ushtrojmë profesionin tonë. Përveç çadrës ai ka marrë dhe tualetet, dhomat e zhveshjes”, e nis rrëfimin akrobatja për Gazetasi.al.

Jo vetëm tani që u hoq çadra dhe cirku nuk ka një vend ku të zhvillojë aktivitetin e tij artistik, por edhe më herët sipas akrobates ka pasur një mungesë vëmendjeje të theksuar nga Ministria e Kulturës.

“Përveç kësaj kushtet kanë qenë mizerabël dhe nuk ka tentuar njeri të vërë dorë mbi Cirkun Kombëtar. Ka qenë një neglizhencë totale, ka vite që ekziston si problematikë. Situata ka arritur deri në këtë pikë nga neglizhenca e Ministrisë”.

Duke e dashur këtë profesion bashkë me sfidat dhe kënaqësitë që i jep çdo ditë, Juxhina mendon edhe largimin nga vendi, nëse dyert e tyre mbyllen pa afat.

“Në momentin që të mbyllen dyert në një institucion, normale që do mendosh të ikësh jashtë dhe të shpëtosh familjen tënde”.

Ajo i është përkushtuar aq shumë akrobacisë, saqë nëse do t’i duhej të bënte një profesion tjetër, do të ishte pa diskutim diçka e afërt me të. 

“Unë i jam përkushtuar këtij profesioni dhe çdo gjë do lidhet brenda këtij profesioni. Edhe nëse unë do ushtroj një punë tjetër do jetë ajo e edukimit fizik për atë që unë kam mbaruar, ose të gjej mënyra alternative që profesionin tim ta ushtroj në agjenci të ndryshme, mos ta lë mënjanë, por s’dua ta mendoj këtë pjesë duke qenë se i jam përkushtuar gjatë gjithë kohës. E mira është të gjendet një zgjidhje, në të kundërt pastaj do ushtroj edukimin fizik si profesion”, rrëfen më tej akrobatja për Gazetasi.al.

Për të është e domosdoshme gjetja e një zgjidhjeje në mënyrë që artistët të kenë një rrogë fikse. Ajo thotë se me shfaqje alternative artistët nuk mbijetojnë dot.

“Ne kemi një rrogë derisa të mbarojë buxheti i këtij viti. Jemi me shpresa që të miratohet edhe buxheti i vitit tjetër. Në rast të kundërt pastaj jo vetëm unë, por të gjithë duhet të gjejmë një rrugë tjetër. Të mbijetojmë në thonjëza, se ndryshe pa një rrogë fikse nuk ia del dot, pasi shfaqjet alternative nuk janë përditë, nuk ke asgjë të sigurt”, vijon ajo, ndërsa shton se “na duhet një siguri e plotë nga Ministria e Kulturës se kjo gjë do vazhdojë”.

Sipas saj, më e keqja në këtë situatë, do të ishte nëse Cirku do kalojë me VKM për shkrirje, “që shpresojmë të mos shkojë deri në atë pikë”.

Ndër të tjera, duke e krahasuar me vitet e mëparshme, akrobatja rrëfen se cirku ka një organikë shumë të cunguar.

“Me thënë të vërtetën më parë ka qenë një organikë më e madhe, dhe shfaqjet ishin akoma më të bukura nga masiviteti. Tani jo se nuk ka profesionalizëm, por kemi një organikë të cunguar që do të thotë se vendet e punës janë të limituara. Duhet të dalë dikush në pension që neve ta zëvendësojmë, sepse një shtim në organikë u bë vite që nuk ndodh te ne”.

Një problem tjetër i madh sipas akrobates është mungesa e përkrahjes nga ana e Ministrisë. Juxhina rrëfen se asnjë përfaqësues i Ministrisë nuk ka shkuar njëherë të vetme të ndjekë një performancë fizike në arenë.

“E dyta investimet dhe përkrahja e Ministrisë nuk ka qenë në nivelin e duhur, duke parë aktivitet e tjera artistike, që ka një përkrahje, te ne ka munguar. Një përfaqësues nga Ministria s’ka ardhur një herë të shikojë shfaqje, të shohin më saktë pse po ua japin rrogën këtyre artistëve”.

Pas protestës që artistët e cirkut bënë para Ministrisë, Juxhina tregon se ka ardhur një dritë jeshile nga ana e institucionit të kulturës, por ende nuk ka asgjë konkrete.

“Pas protestës tonë, ka ardhur një dritë jeshile nga Ministria për ndërtimin e Cirkut, kanë kërkuar një fond prej 500 milionë lekësh të vjetra nga Ministria e Financave për ndërtimin e një Cirku të ri. Ndërkohë, ata kanë menduar të na gjejnë një ambient të përkohshëm, një ambient shkolle ose diçka të ngjashme me një skenë, që në fundjavë të kemi shfaqje. Këtë fundjavë nuk ka, pra do jetë pushim”.

Duke bërë një paralelizëm me cirqet në botë, akrobatja i mëshon fort faktit se nuk mungojnë talentet, por mbështetja.

“Sigurisht ka edhe mungesa të tjera, ne kemi nevojë për kostumografë, sanitare, për një skenograf, koreograf, ka shumë gjëra që kanë minus. Ta krahasojmë me cirqet e botës ne kemi shumë mangësi. Mund të kemi anën profesionale, por duke mos e kuruar me anën vizuale ka një diferencë të madhe”, përfundon akrobatja e re për Gazetasi.al.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë