Nga Megi Iskurti- Ora shënon 06:30 e mëngjesit kur Imer.H, një kryefamiljari që jeton në zonën e Astirit i duhet të presë urbanin e “Unazës së Re”, një realitet që duket krejt normal, por në fakt nuk është më i tillë që pas përgjysmimit të linjave urbane dhe kaosit që ndihet vërdallë nëpër stacione.
E gjithë lufta e nervave disa herë e përsëritur mes shoqatës së transportit dhe pushtetit lokal, në fakt është nxitëse e një efekti domino që prek drejtëpërsëdrejti qytetarët si Imeri të cilëve puna dhe jeta u varet nga autobusi.
“Unë punoj si ndihmës tek një servis makinash dhe paguhem me normë. Disa ditë më parë nuk isha i detyruar të zgjohesha aq herët për të arritur në punë që e nis në orën 08:30, por tani që janë përgjysmuar linjat, mëngjesi po na kthehet në makth.
Duhet të jem në stacion një orë më parë se normalisht sepse jo vetëm që autobusi është i tejmbushur e mund të mbetesh jashtë tij, por në raste të tilla duhet të pres urbanin tjetër që vonon për më shumë se 40 minuta.”-rrëfen Imeri për Gazetasi.al peripecitë e tij të ditës që nisin fill nga mëngjesi.
Përgjysmimi i autobusave u njoftua disa orë pasi stacionet ishin mbushur me njerëz që prisnin të vinte autobusi tjetër sepse ai i radhës ishte tejmbushur.
Me bezdisje Imeri tregon se kjo zonë edhe para se linjat urbane të punonin me 50% të kapacitetit gjithnjë ka qenë pak problematike dhe në vend se të përmirësohej, tani është përkeqësuar më shumë.
Imeri është afër të gjashtëdhjetave dhe jeton bashkë me gruan e tij Mondën dhe dy vajzat që janë në shkollë të lartë.
“Mund të jetë gjë e vogël në dukje por e gjithë dita po na shkon lëmsh me këtë punën e autobusave. Gruaja ime ka disa muaj që ka gjetur punë në një fabrikë në zonën e Babrrusë dhe paguhet në varësi të orëve. Që nga e hëna kur u përgjysmuan linjat, ajo po punon më pak orë dhe po paguhet më pak. Për vajtjen në punë i duhet të ndërrojë dy linja autobusësh që tani i marrin rreth 4 orë punë nga ajo normalja.”
Me një llogari të thjeshtë që Imeri bën, nëse puna e bashkëshortes së tij do të vijojë me këto ritme, ajo do të paguhet sa gjysma e muajve që kanë kaluar.
“Monda punon përgjithësisht 10 orë në ditë dhe paguhet me 30 mijë lekë të reja në muaj por nëse vijon të humbasë rreth 4 orë nëpër stacione autobusësh, ajo do të paguhet veç me 15 mijë lekë të reja. Për ne është një diferencë e madhe sepse me aq mbulojmë pak a shumë shpenzimet e vajzave ndërsa me gjysmën tjetër, qiranë e shtëpisë.”
Imeri nuk ka mundësi ekonomike të blejë vetë një makinë por edhe lëvizja me transport publik po rëndon herë pas herë mbi xhepat e familjes së tij.
Nëse kjo zgjidhje e detyruar mund të përmirësojë disi financat e transportit publik, tek qytetarët duket se nuk është dhënë i njëjti efekt dhe kryesisht tek ata që nuk kanë asnjë alternativë tjetër transporti.
Ai dhe dy vajzat e tij që nuk punojnë përdorin abone gjatë muajit ndërsa Monda shpenzon rreth 48 mijë lekë të vjetra me bileta. Si familje në total shpenzojnë në muaj rreth 90 mijë lekë të vjetra në transport publik.
“Vajzat e mia kanë nisur shkollën tani. Një nga këto mëngjese kur unë dola herët për punë i lashë duke u bërë gati por pas një ore ata më gjetën ende duke pritur në stacion.
Autobusi erdhi i tejmbushur dhe ne të tre u siguruam që të futeshim brenda me sforco, sepse përndryshe ata do të humbnin orën e parë të mësimit, ndërsa unë do të vonohesha akoma edhe më shumë për në punë.”-rrëfen Imeri duke qeshur ironikisht.
Qytetarë duke pritur autobusin pas reduktimit të linjave
Nëse për disa qytetarë të tjerë që përdorin transportin urban kjo situatë nënkupton vetëm disa minuta pritje më shumë në stacion, për familje me ekonomi mesatare si ajo e Imerit nënkupton më pak para në fund të muajit.
Një tjetër problem që ka shoqëruar atë këto ditë është dhe fakti se njëra nga vajzat e tij është astmatike dhe dyndjet e tilla me njerëz do e detyrojnë të dyfishojë ilaçet e njëkohësisht edhe shpenzimet.
Ai tregon se deri para ca kohësh autobusët i dukeshin krejt normal dhe nuk i kishte ankesat aq të fryra sa të disa qytetarëve përreth por tani nuk mund të thoshte më të njëjtën gjë.
“Ndoshta në dimër punon më mirë i ngrohti, sesa i ftohti në verë, por më parë nuk kishte ndonjë problem kushedi sa të madh për aq kohë sa ne shkonim në punë më me lehtësi për të kapur normën e saj. Probleme nga transporti publik dhe pakënaqësi nga niveli i papastërtisë së metrove kanë edhe njerëzit jashtë shtetit.”
Mirëpo tani me situatën ku kërkesat e shoqatës për rimbursim të biletës në 30 lek, rimbursim të abonesë në vlerën 600 lek, uljen e tvsh-së dhe heqjen e akcizës po bien në vesh të shurdhër sipas tij, shqetësimi dhe frustrimi ka nisur sepse po i preken të ardhurat e familjes.
Realiteti i Imerit nuk i përngjan atyre që jetojnë në zonat e pasura ku ndoshta as makina nuk është luks, sepse mund t`i bëjnë shumë punë të ditës në këmbë falë komoditetit që iu ofron një adresë e hajrit.
Por, ai realitet shëmbëllen masën e qindra udhëtarëve që shtypen prej ditës së hënë në autobusin që vjen më rrallë për shkak të protestës së Shoqatës së Transportit Urban.
E ndryshe nga mbivendosja e njerëzve dhe vonesave që në stacione veç shtohen, të ardhurat e kësaj familje në fund të muajit mund të marrin shumë shpejt teposhtën… e raste të tilla, ndeshim plot vërdallë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.