Cirku Kombëtar prej ditës së mërkurë (20 tetor) nuk ka një vend ku të zhvillojë aktivitetin e tij artistik. Problemi me institucionin e Cirkut Kombëtar lindi për shkak se ka dalë pronari i tokës ku ndodhet e vendosur çadra e madhe dhe kërkoi që ajo të zhvendosej duke bllokuar aktivitetin e artistëve.
Zyra e përmbarimit ashtu siç edhe e kishte bërë me dije më parë ka ekzekutuar vendimin për mbylljen e çadrës, duke i vënë shiritin Cirkut Kombëtar dhe duke bllokuar kështu aktivitetin artistik, çka ka sjellë përplasje dhe reagime nga rrethi i artistëve.
Artisti i cirkut, Julian Kazazi, njëkohësisht dhe kryetar i Sindikatës së Pavarur të Artistëve të Cirkut Kombëtar thotë për Gazetasi.al se nuk dihet se çfarë do bëhet me aktivitetin artistik dhe akuzon Ministrinë që nuk ka qenë në gjendje të gjente një zgjidhje deri tani.
“Deri tani nga Ministria e Kulturës nuk kemi pasur zyrtarisht asnjë lloj përgjigjeje për sa i përket çështjes se ku do ta zhvillojë aktivitetin artistik Cirku Kombëtar. Spostimin e çadrës së Cirkut diku tjetër, dhe ndërtimin e ri të Cirkut Kombëtar. Këto janë kërkesat tona, por këto ishin para datës 20, para ditës së djeshme”, thotë Kazazi për Gazetasi.al.

Më tej ai hedh akuza ndaj Ministrisë, pasi sipas tij nuk ka pasur asnjë përfaqësues në institucionin e Cirkut ndërkohë që po çmontohet çadra.
“Sot jemi para disa fakteve të tjera, që arena e cirkut po çmontohet nga firma e ndërtimit, nga zyra e përmbarimit. Ministria e Kulturës akoma nuk ka sjellë asnjë lloj përfaqësuesi në institucionin e Cirkut Kombëtar pranë arenës për të së bashku me punonjësit e cirkut, me ekspertë nëse po ulet mirë si çadër apo mund të dëmtohet nga ulja joprofesionale e punonjësve që janë aty brenda. Përfaqësuesit e vetë duhet të ishin aty, edhe nga Cirku Kombëtar nuk ka asnjë përfaqësues”, vijon më tej ai.
Ai shton se “për sa i përket Ministrisë së Kulturës, përfaqësuesit e cirkut sapo përfunduan një mbledhje ku vendosën që do i drejtohemi Ministrisë së Kulturës për të marrë një përgjigje në lidhje me vazhdimësinë e aktivitetit fizik”.
Gazetasi.al u interesua pranë Ministrisë së Kulturës se ku do të vijojë aktiviteti artistik i Cirkut. Ministria thotë se po ndjek hapat ligjore dhe do të vazhdojnë aktivitetet në skena alternative.
“Ministria e Kulturës po ndjek hapat ligjore në lidhje me Cirkun Kombëtar, ndërkohë së bashku me përfaqësues të cirkut po punohet për hartimin e një kalendari aktivitetesh, i cili nuk do të shtrihet vetëm në Tiranë, por edhe qytete të tjera, duke ndjekur shembullin e TKOBAP, i cili e ushtroi aktivitetin në skena alternative, në gjithë Shqipërinë. Ashtu si deri më tani, Cirku do vijojë edhe me aktivitete edukuese nëpër shkolla, qendra sociale, shtëpitë e fëmijëve, etj”, thotë Ministria e Kulturës për Gazetasi.al.
Ndërkohë, Gjet Ndoj, drejtor i përgjithshëm i politikave dhe zhvillimit të kulturës, thotë se ministria ka bërë ankimimin e saj në Gjykatë të Apelit.
“Ministria e Kulturës në momentin që ka marrë vesh vendimin e gjykatës ka reaguar duke bërë ankimimin e saj në Gjykatë të Apelit. Ndërkohë paralel ministria është në negociata me Bashkinë e Tiranës për të marrë një ambient për të pasur cirkun”.

Kërkesat e Zyrës Përmbarimore
Toka ku është ngritur çadra e Cirkut, rreth 1073 metra katrorë i janë njohur nga gjykata si pronë private një sipërmarrësi që në vitin 2014. Prej asaj kohe çështja nuk ka marrë zgjidhje ndërkohë që artistë e cirkut janë përplasur vazhdimisht me zyrtarët e përmbarimit, të cilët kanë kërkuar zbatimin e vendimit të gjykatës.
Në shkresën e Zyrës Përmbarimore kërkesa e parë është për lirimin e truallit me sipërfaqe 1073 m2, në pronësi të palës kreditore, Shoqëria “UFO” shpk.
Afati i lënë ishte data 20 tetor 2021.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.






