Krimet që përfshijnë pronat kulturore lulëzuan gjatë vitit 2020, pavarësisht kufizimeve në udhëtime dhe qasjes në institucionet publike gjatë bllokimeve, thuhet në një studim të ri të Interpolit.
Policia në 72 vende anëtare të Interpolit kapi një total prej 854,742 objektesh arti, më shumë se gjysma e tyre në Europë. Europol gjithashtu raportoi rritje të dukshme të gërmimeve të paligjshme në Afrikë, Amerikë dhe Azi dhe Paqësorin Jugor. Krimet nëpër muze, megjithatë, u pakësuan në të gjitha rajonet përveç Amerikës.
“Pandemia COVID-19 kishte një ndikim të rëndësishëm te kriminelët e përfshirë në trafikun e paligjshëm të pronave kulturore, por nuk e zvogëloi në asnjë mënyrë kërkesën për këto sende ose shfaqjen e krimeve të tilla”, thotë Corrado Catesi, koordinatori i Punëve të Interpolit në njësinë e Artit. “Ndërsa vendet zbatuan kufizimet e udhëtimit dhe masa të tjera kufizuese, kriminelët u detyruan të gjejnë mënyra të tjera për të vjedhur, gërmuar ilegalisht dhe kontrabanduar prona kulturore”.
Numri i veprave penale të raportuara në të dy Amerikat në vitin 2020 ishte pothuajse dyfishi i shifrës së vitit 2019. Në Europë, shifra u rrit në 6,251 nga 5,088 vepra penale. Në Azi dhe Afrikë, numri i përgjithshëm i veprave penale të raportuara ka rënë nga viti 2019.
Ndër krimet e profilit të lartë të artit të raportuar në vitin 2020 ishin vjedhja e një pikture të Van Gogh nga muzeu “Singer Laren” në Holandë dhe tre kryevepra të vjedhura nga Galeria e Fotografive “Christ Church” në Oksford në Mbretërinë e Bashkuar. Operacioni Pandora, një përpjekje e koordinuar europiane për zbatimin e ligjit që synonte goditjen e trafikut të paligjshëm të objekteve kulturore, rezultoi në sekuestrimin e më shumë se 56,400 objekteve të tilla.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



