Iris Elezi është shkarkuar nga posti i drejtoreshës së Arkivit Qendror Shtetëror të Filmit. Shkak është bërë punësimi i bashkëshortit të saj, Tomas Logoreci në të njëjtin institucion, ku eprore ishte e shoqja.
Sipas vendimit të firmosur nga ministrja e Kulturës, Elva Margariti ajo vlerësohet se, gjatë ushtrimit të detyrës së saj ka vepruar në kundërshtim me legjislacionin në fuqi, duke mosrespektuar parimin “e mirëbesimit, detyrimin e bindjes dhe përgjegjësisë, si dhe detyrimin e punëdhënësit për mbrojtjen e personalitetit të punëmarrësit”.
Shkeljet e drejtoreshës së Arkivit të Filmit, janë zbuluar pas ankesës së disa punonjësve të arkivit lidhur me praninë fizike në institucion të bashkëshortit dhe të afërmve të tjerë, por edhe punësimit të tij prej 1 viti si supervizor në një projekt të brendshëm.
Në dokumentin e firmosur nga Margariti, thuhet se një tjetër motivacion që lidhet me lirim nga detyra, është edhe Mosrespektimi i përsëritur i Ligjit “Për rregullat e etikës në administratën publike”, lidhur me marrëdhënien, komunikimin dhe sjelljen me punonjësit e institucionit. Pas këtij vendimi, Elezi detyrohet të dorëzojë formularin e deklarimit të pasurisë si dhe dokumentacionin e pajisjeve të punës.
Elezi u emërua në këtë post në vitin 2017 nga ministrja e aso kohe, Mirela Kumbaro, duke zëvendësuar Elvira Diamantin.
Në atë kohë, Elezi do të denoncohej edhe nga piktori e shkrimtari Maks Velo për “vjedhje të së drejtës së autorit”, dhe ishte në proces të hapur gjyqësor.
Arkitekti Maks Velo do ta padiste regjisoren Iris Elezi për filmin “Bota”, për marrjen e subjektit nga novela “Klubi Karavasta”. Velo pretendonte se regjisorja e filmit duhet t’i njihte atij të drejtat e autorësisë.
Një konflikt i tillë do të komentohej jo pak edhe në rrethin e kineastëve.
“Ky është një konflikt që s’ka ndodhur më parë mes kineastëve, duhet të zgjidhet me të drejtat që meriton autori i librit”, shkruante dy vite më parë regjisori Piro Milkani.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)





