Art dhe Kulture

90 vite më parë lindi Dritëro Agolli

Po kur të jesh mërzitur shumë

Në raft të librave kërkomë,

Atje do jem i fshehur unë,

Në ndonjë fjalë e ndonjë shkronjë...

Edhe pse ai nuk është më midis nesh, poezia e Dritëro Agollit, prania e tij artistike, vjen pothuajse çdo ditë tek ne me vargjet e veprat që ai ka lënë.

Sot është ditëlindja e shkrimtarit dhe poetit të madh, Dritëro Agolli, i cili u nda nga jeta vetëm 4 vite më parë, në shkurt të 2017-s.

Dritëro Agolli ka lindur më 13 tetor të vitit 1931 dhe këtë tetor Dritëroi do të mbushte 90 vjeç.

Ndonëse ai mungon prej katër vitesh, urimet për shkrimtarin nuk reshtin, duke e kujtuar përmes veprës së tij. Ndërsa e bija, Elona, ka një urim të veçantë për të. Ajo ka ndarë në rrjetet sociale një kartolinë të 12 viteve më parë, të 13 tetorit të 2009-s, ku i uron ditëlindjen babait të saj.

"Në vitet , kur me babin shkëmbenim kartolina të çuditshme urimi ...", shkruan Elona Agolli në Facebook.

Kartolina e së bijës për Dritëro Agollin

Me penën e tij, Dritëro Agolli u bë për lexuesin njeriu i të vërtetave, i harmonisë dhe jo i konfliktit, i dashurisë dhe jo i urrejtjes.

Në gjithë lëmin e krijimtarisë së tij, ai u mishërua me tokën, natyrën, me gjërat konkrete e abstrakte që ngërthen në vete hapësira shqiptare. Pra, në poezinë e tij pasqyrohet shpirti i vendit e i popullit të tij, dhe për këtë ai do të fitonte edhe epitetin e poetit të Tokës.

Poezia e Agollit rrallë ngërthen në vetvete një gjuhë simbolike, ajo, në të shumtën e rasteve komunikon lirshëm e drejtpërdrejt me lexuesin. Ndryshe nga shumë poetë, të cilët vargun hermetik e shohin si sinonim të modernes, për Dritëro Agollin në gjithë krijimtarinë e tij sinonim i modernes ishte komunikimi i drejtpërdrejtë me lexuesin në një gjuhë të thjeshtë e sa më pranë tyre.

Duke qenë një poet eksplicit (i qartë), poezia e Agollit i dedikohet fëmijës, nxënësit, mësuesit, fshatarit, intelektualit.

Eseisti i njohur anglez Tomas Strns Eliot do të shprehej: “Kur një qytetërim është i shëndoshë, atëherë poeti i madh do të ketë diçka t’i thotë edhe shokut të tij fshatar të çdo shkalle të edukimit”. Një gjë të tillë e ka bërë dhe poeti ynë që me penën e tij kishte çfarë t’u thoshte të gjithëve.

Jeta dhe veprimtaria

Poet i njohur, prozator, publicist, eseist, kritik, mendimtar dhe veprimtar politik, anëtar i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë. Lindi në Menkulas të Devollit, më 13 tetor 1931. Mësimet e para i mori në vendlindje, të mesmen e kreu në shkollën “Asim Zeneli” (Gjirokastër), ku bëri dhe sprovat e para letrare. Në vitet 1952–1957 ndoqi studimet e larta në Fakultetin e Letërsisë të Universitetit të Leningradit. Në vitet 1957–1972 punoi si redaktor e gazetar në të përditshmen “Zëri i popullit”. Në vitet 1973–1992 ka qenë kryetar i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë.

Agolli ishte një nga figurat qendrore të poezisë shqipe dhe një prej përfaqësuesve më të rëndësishëm të “brezit të viteve 1960”. Kritik ndaj frymës tradicionaliste dhe patriotizmit retorik, Dritëro Agolli solli në poezi ndjeshmëri e figuracion të ri, duke e përtërirë sistemin e vjershërimit shqip. Ai ishte prurësi i poezisë së “unit” të fortë. Në krijimtarinë e tij, ai ruajti prej vlerave më të arrira të poezisë së traditës – frymën popullore.

Rruga e rritjes së tij të shkallëshkallshme poetike shprehet në librat: “Hapat e mija në asfalt” (1961), “Shtigje malesh dhe trotuare” (1965), “Devoll-Devoll” (1964), “Mesditë” (1968), “Baballarët” (1969), “Nënë Shqipëri” (1974), “Fjala gdhend gurin” (1977), “Udhëtoj i menduar” (1985), “Pelegrini i vonuar” (1993), “Lypësi i kohës” (1995), “Fletorkat e mesnatës” (1999).

Krijimtaria poetike e tij në thelbin e vet është liriko-epike. Dritëro Agolli e pruri poezinë shqipe prej shqetësimit të përgjithshëm te shqetësimi i njeriut. Poezia e tij përshkohet nga kulti i vendlindjes, i tokës, i bukës, i parmendës, i familjes, i prindit, i babait. Ajo sundohet nga bota e gjallë, shpirtëzimi i mjedisit, shenjtërimi i natyrës, i arës dhe bagëtisë. Në këtë tipar të poezisë së tij shfaqen gjurmë të botëkuptimit panteist bektashian. Agolli krijoi në poezi imazhin e një Shqipërie ideale.

Vepra më e rëndësishme idealizuese dhe njëherësh më e angazhuar e tij është poema “Nënë Shqipëri”. Gjatë gjithë rrugës së vet krijuese më se gjysmëshekullore, Dritëro Agolli është poeti i dhimbjes njerëzore dhe i filozofisë jetësore. I vëmendshëm ndaj dramave të mëdha të popullit, ai u bë njëherësh poeti i dhimbjes vetjake të njeriut. Agolli njohu një ringjallje poetike në dy dekadat e fundme. Me vëllimet poetike “Pelegrini i vonuar”, “Lypësi i kohës”, “Fletorkat e mesnatës” autori shpalli sfidën e tij të re të mjeshtërisë.

Vepra më e hershme në prozë e tij është vëllimi me tregime “Zhurma e erërave të dikurshme” (1964), që u prit keq nga kritika zyrtare dhe u hoq nga qarkullimi (1965). Këto tregime, një pjesë e të cilëve u ribotuan në fund të vitit 1980 në librin “Njerëz të krisur”, janë të mbushur me personazhe jotipike. Në to heronjtë paraqiten bashkë me cenet e tyre, duke iu shmangur skemës për heroin tipik pozitiv. Romani “Komisari Memo” (1970) është vepra më e angazhuar e Agollit në prozë. Në të autori poetizoi “kohën e komisarëve”, që ishte pjesë e kultit të luftës antifashiste, e cila sundoi për shumë kohë letërsinë shqipe. Figura më e plotë e romanit është komandanti Rrapo, i cili bën pjesë brenda llojit të “njerëzve të krisur” që përmban në tërësinë e vet letërsia e Dritëro Agollit. Në romanin “Njeriu me top” (1975) ai zbuloi një marrëdhënie tjetër, krejt të ndryshme nga ajo e “Gjeneralit të ushtrisë së vdekur” të I. Kadaresë sa i takon raportit të njeriut shqiptar me armën. Zot e rob i armës, i magjepsur dhe i marrosur prej saj, personazhi qendror i librit bën çudira e marrëzira nga më të pabesueshmet. Kontributi më i rëndësishëm letrar në prozë i tij konsiderohet “Shkëlqimi dhe rënia e shokut Zylo” (1973). Kronikë e karrierës së palavdishme të një zyrtari, romani është në të njëjtën kohë pasqyrë e pozitës së pandashme të vartësit të tij. Produkt i njëri-tjetrit, dy personazhet kryesorë, Zyloja dhe Demka, sikurse ndodh pothuajse në të gjitha veprat me karakter humoristik, janë pasqyrë e anës qesharake dhe njëherësh dramatike të funksionimit të burokratizmit. Ndryshe nga shumë burokratë të tjerë skematikë që kishin përmbytur jo vetëm letërsinë shqipe, por edhe publicistikën, Zyloja është një burokrat me dramë.

Një pjesë e madhe e veprave të tij janë botuar në shumë gjuhë të huaja.

Ai ka pasur edhe karrierë politike, duke qenë deputet në Kuvendin Popullor dhe në Kuvendin e Shqipërisë për disa legjislatura (1974–2005) dhe një nga figurat e rëndësishme të Partisë Socialiste, që nga themelimi i saj.

Agolli ka marrë Çmimin e Republikës të shkallës së parë dhe është dekoruar me Urdhrin “Nderi i Kombit”. Në vitin 2011 Dritëro Agolli është nderuar me titullin “Doctor Honoris Causa” nga Universiteti Europian i Tiranës.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë