Një 22-vjeçar i identifikuar nga policia si Redi Balla është plagosur mbrëmjen e të martës me armë zjarri teksa ndodhej në automjetin e tij të parkuar. Ngjarja ka ndodhur pranë vendit që njihet si lulishtja te “Komuna e Parisit”, ku i riu është qëlluar në rrethana të paqarta.
Mësohet se ai është gjetur i plagosur me një plumb në këmbë në makinën e tij dhe nuk dihet nëse autori në këmbë apo ka qëlluar nga nj automjet.
Kanë qenë banorët e zonës të cilët kanë raportuar për të shtëna armësh dhe më pas policia ka shkuar në vendin e ngjarjes. Gjatë natës ai i është nënshtruar një ndërhyrje kirurgjikale në këmbë, teksa ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Para hetuesve, 22-vjeçari ka thënë se nuk i njeh autorët. “Kam qenë duke u kthyer për në shtëpi. Parkova makinën dhe pashë dikë që mu afrua dhe më qëlloi. Nuk kam dijeni se kush është personi që më ka qëlluar”, ka thënë në deklaratën paraprake Redi Balla.
Ai njihet si person problematik, pasi, ka qenë disa herë i shoqëruar për shkak të konflikteve me të tjerë, por nuk ka precedentë penalë.
Grupi i hetimit ka dyshime se nuk ka qenë qëllimi për ta ekzekutuar të riun por për t’i dhënë një mesazh apo paralajmërim.
Grupi i hetimit po punon për vëzhgimin e kamerave të sigurisë të bizneseve pranë vendit të ngjarjes, por edhe rrugët lidhëse për të marrë prova për zbardhjen e identitetit të autorit.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




