Për koreografin Gjergj Prevazi, Shqipëria ka mjaft talente të dancit kontemporan. Por ata shumë pak mbështeten këtu.
Ai prej vitesh mban gjallë këtë lloj kërcimi në vendin tonë dhe njëkohësisht është drejtor artistik i “Albania Dance Meeting-Festival”, i cili sivjet rikthehet në vitin e 16-të me një risi: Performancat live.
Eventi që ka bërë bashkë shqiptarë e të huaj u hap mbrëmjen e 3 tetorit në Durrës në Teatrin “Aleksandër Moisiu” me artistët nga Austria, për të vijuar me të njëjtën shfaqje dhe në Teatrin Metropol në Tiranë.
Shfaqja e dancit “B-Team”, përbëhej nga 4 profesionistë të skenës që u bashkuan ndaj kauzës së shpëtimit të botës. Por shfaqjet e dancit do të rrugëtojnë edhe në stacione të tjera si: Teatri Kombëtar Eksperimental, te instalacioni “Reja” në Tiranë, dhe te Teatri Kombëtar i Kosovës.

“Festivali është i vetmi event që prezanton dancin kontemporan në Shqipëri. Festivali në këto 16 vite ekzistence ka ndërtuar një strategji të qartë për promovimin e dancit kontemporan në vendin tonë nëpërmjet prezantimit të shfaqjeve LIVE si dhe nëpërmjet prezantimit të kërkimeve të llojit video-dance online”, thotë koreografi për Gazetën Si”, ndërsa shton se “festivali organizon në çdo vit workshope dhe master klasa për profesionistët dhe studentët”.
Rikthimi live i performancave për publikun në edicionin e 16-të, e gëzon. Koreografi thotë se një ndër risitë e këtij viti janë krijimet e bazuara kryesisht mbi eksperimentin.
“Risi e këtij edicioni është selektimi i disa kërkimeve artistike, në fushën e dancit kontemporan, të cilat kanë si synim kryesor eksperimentin. Pra kërkimin e formave dhe qasje alternative konceptuale, strukturore, lëvizore dhe estetike. Në këto performanca danci audienca përjeton eksperienca të reja emocionale, kulturore dhe informative”.

Sipas tij, ky festival i përvitshëm vjen me qëllimin e qartë për të mbajtur audiencën të informuar rreh kërkimeve më të reja të artit skenik.
“Qëllimi është të mbahet në suspancë vëmendja e audiencës për kërkimet më të fundit në dancin kontemporan europian”.
Në festival këtë edicion të 16-të do të ketë edhe dy premiera.
“Njëra është solo performanca “Banching” nga koreografja e re shqiptare, Semela Skënderasi. Ndërsa tjetra është premierë e kompanisë që unë drejtoj Albanian DanceTheater Co. me shfaqjen ‘Shkundem’”.
Lidhur me talentet e reja në artin e kërcimit, koreografi është mjaft entuziast, por entuziazmin për mbështetjen e institucioneve të kulturës për këtë event e ka racional.
“Me këtë rast doja të bëja një thirrje publike institucioneve shqiptare të kulturës, për një mbështetje dhe përkrahje më serioze për këtë event, i cili është adresa e vetme e dancit kontemporan në Shqipëri, njëkohësisht pjesë e agjendës internacionale të dancit kontemporan. ‘Albania Dance Meeting’ është partner në Aerowaves, rrjetin më të madh dhe më të rëndësishëm europian të dancit dhe festivaleve përkatëse”.
Ndër të tjera ai thotë se “talentet nuk mungojnë fatmirësisht në artin shqiptar. Madje ato janë me shumicë në artin e kërcimit. Siç dihet pjesën më të madhe të artistëve shqiptarë që kanë bërë karrierë internacionale e përbëjnë kërcimtarët dhe koreografët e dalë kryesisht nga Shkolla shqiptare”.
Festivali do të vijojë për publikun edhe në datat 20 tetor si dhe në 8, 10, 11, 12, 13, 14 nëntor.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



