Njerez

“Ishte një pushim i bukur nga Covid e gjithçka tjetër po ndodh”. Rrëfimi i dy të mbijetuarve pas 29 ditësh të humbur në det

Dy burra nga Ishujt Solomon të cilët kaluan 29 ditë të humbur në det pasi GPS-i i tyre u prish, u shpëtuan në brigjet e Papua Guinea e Re – 400 kilometra larg nga vendi ku filloi udhëtimi i tyre.

Livae Nanjikana dhe Junior Qoloni u nisën nga ishulli Mono, në provincën Perëndimore të ishujve Solomon, në mëngjesin e 3 shtatorit me një varkë të vogël, me 60 kuaj fuqi.

Të dy burrat humbën në det pasi varka thuajse u fundos pranë brigjeve të Guinesë së Re

“Ne kemi udhëtuar edhe më parë dhe gjithçka për pasojë duhet të shkonte mirë edhe kësaj here,” tha Nanjikana.

Por edhe për detarët me përvojë, siç është Nanjikana, deti Solomon, që ndan ishujt Solomon nga fqinji i saj, Papua Guinea e Re, është shumë i ashpër dhe i paparashikueshëm.

Vetëm pak orë nga udhëtimi i tyre, ata u përballën me shi dhe erëra të forta, duke e bërë të vështirë të shihnin vijën bregdetare që duhej të ndiqnin.

“Kur moti u përkeqësua, situata dukej keq, por u bë edhe më e rëndë  dhe i frikshëm kur u prish edhe GPS,” tha ai.

“Ne nuk dallonim fare se ku po shkonim ndaj dhe vendosëm të fiknim  motorin dhe të prisnim, për të kursyer karburant.”

Të mbijetuar me portokallet që kishin marre për udhëtimin, arrat e kokosit që mblodhën nga deti dhe uji i shiut përmes një cope pëlhure të ashpër me fije të trasha, ata lundruan rreth 400 km në veriperëndim për 29 ditë, duke u vënë re më në fund nga një peshkatar në brigjet e Papua Guinea e Re.

“Ne nuk e dinim se ku ishim në fakt, por as nuk prisnim të ishim në një vend tjetër,” tha Nanjikana.

Dy te mbijeturit pas 29 ditesh te humbur ne det

Burrat ishin aq të dobët saqë kur mbërritën në qytetin Pomio më 2 tetor ata duhej të dërgoheshin me urgjencë në një shtëpi aty pranë.

Më pas ata u zhvendosën në një klinikë shëndetësore lokale dhe tani po qëndrojnë me vendasit deri sa autoritetet vendase të mundësojnë kthimin tek familjet e tyre.

Nanjikana tha se ai ka parë disa gjëra pozitive nga kjo përvojë, të tilla si shkëputja e detyruar dhe totale nga kaosi i një pandemie globale.

“Nuk e kisha idenë se çfarë po ndodhte ndërsa isha atje. Atje nuk mund të dëgjoje as për Covid e as për gjë tjetër, ” tha ai.

“Mezi pres të kthehem në shtëpi, por mendoj se ai ishte një pushim i bukur nga gjithçka”

Marrë nga “The Guardian”/ Përshtati në Shqip Gazeta “Si”


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë