Menaxhim

Miratohet rregullorja për debitimin direkt ndërbankar

Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë ka miratuar rregulloren “për debitimin direkt”, duke shtuar mundësini e debitimit ndërbankar pa u kushtëzuar nga subjektet financiare ku debitori dhe kreditori mbajnë llogaritë e tyre përkatëse.

Gjithashtu do të mundësohet dhe veprimtaria direkte edhe nëse përfituesi dhe urdhëruesi i pagesës nuk kanë llogari në të njëjtën bankë apo institucion të shërbimeve të pagesave.

Palët e përfshira në realizimin e instruksioneve të debitimit direkt parashikohen kreditori si përfitues i pagesës; debitori si pagues, OSHP i kreditorit si mbajtës i llogarisë së pagesës së kreditorit; OSHP i debitorit si mbajtës i llogarisë së pagesës së debitorit; sistemi elektronik i klerimit të instruksioneve të pagesave në lekë (AECH), si sistemi ku klerohen instruksionet e debitimit direkt; sistemi AIPS si sistemi ku shlyhen rezultatet e klerimit të instruksioneve të debitimit direkt; OSHP ndërmjetësues si ofrues shërbimi të ndërmjetëm midis dy OSHP të cilët nuk janë pjesëmarrës në sistemin AECH. Ligji “Për shërbimet e pagesave” lejon anëtarësim në sistemet AECH dhe AIPS vetëm për bankat tregtare, ndërsa OSHP-të e tjera mund të kryejnë veprime në këto sisteme vetëm nëpërmjet bankave.

Ky shërbim, me mënyrën e funksionimit të tij, synohet të jetë në përputhje me skemën “SEPA Direct Debit” të përdorur në Eurozonë. Sipas Bankës së Shqipërisë, miratimi i kësaj rregulloreje përmbush dhe një nga objektivat strategjikë në kuadër të zbatimit të “Strategjisë afatmesme të zhvillimit të Bankës së Shqipërisë për periudhën 2019-2021” dhe “Strategjisë kombëtare për pagesat me vlerë të vogël në Shqipëri 2018-2023”.

Deri më tani, debitimi direkt ka qenë I kufizuar brenda llogarive të së njëjtës bankë tregtare.

Çdo kreditor mund të paraqesë një kërkesë për arkëtim të debitimit direkt, nëse i është caktuar një “ID e kreditorit” nga Banka e Shqipërisë, ka një pretendim të vlefshëm ndaj debitorit për të mbledhur para (në bazë të një kontrate ose marrëveshjeje midis kreditorit dhe debitorit), ka marrë një mandat të debitimit direkt të nënshkruar nga debitori për këtë qëllim, si dhe i ka dërguar OSHP të kreditorit një kopje të mandatit, si dhe sa herë që ky ndryshohet nga debitori. Kreditorët më të zakonshëm në veprimet e debitimit direkt mund të jenë të gjitha subjektet që pranojnë pagesa periodike, si për shembull kompanitë utilitare të energjisë, ujit, telefonisë, organet tatimore, pa përjashtuar edhe subjekte të tjera që mund të duan ta përdorin këtë shërbim për të arkëtuar faturat e tyre.

Debitori, pasi merr njoftimin paraprak nga kreditori në lidhje me vlerën dhe datën e debitimit, duhet të sigurohet, se në atë datë gjendja e llogarisë së tij me OSHP e debitorit, e cila do të debitohet është e mjaftueshme për të mbuluar vlerën e përcaktuar në kërkesën për arkëtim.

Komisionet e aplikuara për debitimin direkt do të bazohen në parimin e ndarjes, në mënyrë që kreditori dhe debitori të ngarkohen veçmas dhe individualisht përkatësisht nga OSHP i kreditorit dhe nga OSHP i debitorit


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë